Sampaoli thyen heshtjen, zbulon kontradiktat e Messit tek Argjentina

Futboll

Sampaoli thyen heshtjen, zbulon kontradiktat e Messit tek Argjentina

Më: 24 prill 2019 Në ora: 16:05
Jorge Sampaoli

Ish-trajneri i Argjentinës thotë se Lionel Messi vuan shumë kur luan për ekipin kombëtar, sepse aty nuk mund t’i tregojë botës sa i mirë është. Këto komente, Jorge Sampaoli i bëri gjatë konferencës "Ne jemi futboll 2019, trajnerët dhe taktikat", organizuar nga Federata Braziliane e Futbollit.

Duke folur për herë të parë mbi dështimin e Argjentinës në Kupën e Botës së Rusisë dhe paraqitjet e Messit me kombëtaren, ish-trajneri shtoi: "Pata fatin të stërvis lojtarin më të mirë në botë. Nuk e di nëse ai është më i miri në histori, por tani ka më shumë se 600 gola në Europë, i ka thyer të gjitha rekordet. Megjithatë, ndryshe nga pjesa tjetër e botës, në vendin e tij është kritikuar. 

Ai është një qenie njerëzore. Argjentinasit përpiqen të kënaqen me Messin, ndërsa tifozët e Barcelonës e kënaqin atë. Messi vuan shumë nga ajo që ka kaluar në kombëtare, vuan shumë nga realiteti. Ai nuk mund t'i tregojë botës gjithçka që është, kur luan për Argjentinën. Pastaj, shoqëria argjentinase gëzohet për shkatërrimin e gjërave shumë më tepër se në rast suksesesh".

Duke u ndalur më tej te shkaqet e dështimi të Albiceleste në “Rusia 2018”, Sampaoli nënvizoi: "Të jesh trajner i një kombëtareje të Amerikës së Jugut është pothuajse e pamundur, sepse lojtarët më të mirë tanët luajnë në Europë. Ne i kemi ata vetëm për pak kohë në dispozicion, jo mjaftueshëm për t’u injektuar vlerat që duam dhe filozofinë tonë të të luajturit".

Kujtojmë se Messi ka shënuar 65 gola në 129 ndeshje me Argjentinën, por kurrë nuk ka fituar një trofe të madh me kombëtaren e vendit të tij, pavarësisht mbërritjes në finale e Kupës së Botës 2014 dhe tri finale të “Copa America”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat