Qeveria e Katalonjës e dekoron Messin me titullin “Creu de Sant Jordi”

Futboll

Qeveria e Katalonjës e dekoron Messin me titullin “Creu de Sant Jordi”

Më: 30 prill 2019 Në ora: 16:16
Leo Messi

Sot, qeveria e Katalonjës bëri të ditur se ka vendosur t’i shpërblejë 29 persona me dekoratën “Creu de Sant Jordi”, që është mirënjohja më e lartë civile që një person apo organizatë mund të marrë nga qeveria katalonase.

Katalonja ka vendosur që në mesin e këtyre 29 personave të dekoruar të jetë edhe Lionel Messi për shërbimet e tij në Katalonjë, që kanë ndikuar në promovimin e kulturës katalonase.

“Për shkak të karrierës së tij të mrekullueshme sportive, ai njihet si futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve. I ardhur nga Argjentina në Katalonjë në një moshë shumë të re, ai iu bashkua ekipit të të rinjve të Barcelonës”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga qeveria katalonase.

“Në një sport kaq popullor sa futbolli, Leo Messi i posedon disa cilësi, si përulësia, sinqeriteti, mësimi, kreativiteti, bashkëpunimi dhe respekti. Ai e ka krijuar një shoqatë bamirëse, e cila fokusohet në plotësimin e nevojave bazë të fëmijëve”.

“Ai ka bashkëpunuar me shumë spitale në Katalonjë. Në mesin e këtyre bashkëpunimeve, theksohet kontributi i tij në spitalin San Joan de Deu, ku me ndihmën e tij u ndërtua Qendra Pediatrike për Kancer”.

Creu de Sant Jordi është dekoratë që u krijua në vitin 1981 me qëllimin për t’i shpërblyer personat që i kanë shërbyer shumë Katalonjës. Çdo qytetar apo grup mund të parashtrojë kërkesë që kjo dekoratë t’i dhurohet një personi apo grupi tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat