Agim Bytyçi, kryetar i parë i FFK-së tregon për kontaktet e para me UEFA-n dhe për kërcënimet!

Futboll

Agim Bytyçi, kryetar i parë i FFK-së tregon për kontaktet e para me UEFA-n dhe për kërcënimet!

Nga: Kemajl Goca Më: 30 prill 2019 Në ora: 17:02

Nuk kishte menduar as dy herë Agim Bytyçi, por e kishte pranuar menjëherë përgjegjësinë më të madhe, të institucionit më të lartë të futbollit në vitin 1991! Muaji gusht nuk ishte vetëm muaj i vapës tropikale, por edhe i vapës politike e sportive, i shantazheve që vinin nga kuzhina e Beogradit në drejtimin e futbollit të Kosovës. Në rrethana dhe në kushte të rënda, as kërcënimet e pareshtura nga pushtuesi serb, nuk e ndalën misionin kombëtar të Agim Bytyçit, i cili në vitin 1991 e mori detyrën e presidentit të Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës, duke iu thënë një herë e përgjithmonë jo garave me klubet serbosllave.

Image

Në vitin 1992 kur u takuan me Presidentin Historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova

Bytyçi me shumë shokë vunë themelet e futbollit të pavarur, nisën rrugëtimin e vështirë, o jetë o vdekje. Ishin ditët më të rënda të popullit shqiptar, pushtuesi serb uzurpoi stadiumet dhe objektet sportive, ndërsa sportistët tanë zhvilluan garat aty ku mundën, në livadhe e fusha të improvizuara, shumë herë ndeshjet u ndërprenë nga milicia serbe. Populli shqiptar i sulmuar nga të gjitha anët, terror i paparë anembanë vendit, të dëbuar nga puna, Universiteti i Prishtinës, nga shkollat, Kosova në terr të plotë informativ, por Bytyçi me shumë shokë i futen misionin të madh me të gjitha sportet dhe sferat tjera, organizuan aktivitetet në kuadër të Republikës së Kosovës.

Image

Kohë e sfidave

Sot me krenari kujton atëkohë të pakohë, periudhën e sakrificës dhe të rezistencës, që i dolën përballë agresorit serb dhe asnjëherë nuk u gjunjëzuan. Nuk ishte lehtë ta drejtosh FFK-në e asaj kohe, nuk ishte lehtë të nisesh në çdo fushë të improvizuar me klubet tjera shqiptare, sepse ishte ngjashëm sikur të nisesh në front të luftës, kur kiheshin parasysh postblloqet e milicisë okupuese serbe, kur ndalonin, e nxirrnin nga makinat djemtë tanë dhe i maltretonin e rrihnin deri në alivanosje, madje edhe i burgosnin.

Image

Agim Bytyçi majtas dhe i ndjeri Fadil Vokrri djathtas

Edhe në kohën e territ informativ, në kohën e sulmeve më barbare nga regjimi kriminal serb, Agim Bytyçi (në vitin 1992) i vuri kontaktet e para me asociacionin më të lart të futbollit evropian, UEFA-n dhe kërkonte me ngulmë pranimin e FFK-së në këtë organizatë. Dhe jo me kaq, e njoftuan UEFA-n për terrorin që përjetojnë sportistët tanë nga çizmja serbe, kjo në fakt, e kishte bërë shumë nervoz edhe regjimin serb, saqë shtypi sportiv serb i asaj kohe, shkarraviste me të madhe kundër FFK-së së Bytyçit.  Agim Bytyçi në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, flet për të gjitha në pikë të shkurtra, madje e ka në mendje të shkruan edhe librin e futbollit, sepse i ka në kujtesë të gjitha zhvillimet e asaj periudhe sa të errtë aq ishin edhe krenarë që u dolën karshi të gjithave furtunave që vinin nga pushtuesi serb.

Image

Agim Bytyçi dhe selektori i parë i Kombëtares së Kosovës, Ajet Shosholli

Bile kujton edhe kohën e ndeshjes së parë revyale zyrtare ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Kosovës, që u zhvillua në stadiumin “Selman Stërmasi” me 14 shkurt të vitit 1993, ku lotët rridhnin nga emocionet, sepse protagonistët e asaj shfaqje të madhe po shijonin sfidën më shumë se historike! 

“Bota sot”: Z. Agim Bytyçi, sa keni mundësi ta përcillni futbollin e Kosovës, çfarë ju le përshtypje më shumë?
Agim Bytyçi:
Çdo hap e përcjelli futbollin e Kosovës nëpërmjet televizorit e mendoj se ka përparim, sidomos pas pranimit të saj në UEFA dhe FIFA.
“Bota sot”: Agim Bytyçi është kryetari i parë në histori i Federatës së Republikës së Kosovës, vërtet sa ishte vështirë atëkohë ta pranoni këtë post dhe të organizoni garat në nivel të Kampionatit të pavarur të Kosovës, t’i thoni jo garave me klubet serbosllave?
Agim Bytyçi:
Nuk ishte lehte të marrësh një përgjegjësi të madhe në atë kohë ndër okupim. Ishte shumë vështirë të organizosh një Kampionat atëherë kur nuk kishim fushë të futbollit, pajisje sportive as nuk kishim kurrfarë mjete financiare, por edhe as kurrfarë sigurie. E kishim vullnetin e futbollistëve, punëtorëve sportiv e gjithë sportdashësit kosovar. Këto me sukses u organizuan dhe iu thamë jo garave me klubet serbosllave dhe kështu filloi Kampionati i Republikës së Kosovës.

Image

Foto e viteve 90-ta

“Bota sot”:  Kudo fjalë të mëdha për Ju, veçmas çmohet lart sakrifica juaj që bëtë në atëkohë, kur morët timonin e FFK-së në kohërat më të vështira në periudhën 1991-1994, çfarë iu ka mbetur në kujtesë nga ajo kohë?
Agim Bytyçi:
Në vitet 1991/94 kur me zgjodhën kryetar i futbollit kosovar në kujtesë më ka mbetur: Afërsia, respekti, bashkëpunimi i klubeve kosovare në një nivel të lartë, e sidomos një bashkëpunim shumë i sinqertë dhe vëllazëror në kryesi të FFK-së.

Image

Agim Bytyçi

“Bota sot”: FFK është e pranuar në UEFA e FIFA, kombëtarja e Kosovës garon në kualifikueset për Kampionatin Evropian 2020. A është një kombëtare që vërtet do të bëjë gjëra të mëdha?
Agim Bytyçi:
Sa i përket Kombëtares me vullnetin dhe punën e tyre do të kenë një sukses pa marr parasysh përvojën e tyre.
“Bota sot”: Mos të harrojmë, në kohën kur ju ishit kryetar i FFK-së, në vitin 1992 si federatë kërkuat për herë të parë anëtarësim në UEFA, atëkohë Gerhard Aigener ka qenë sekretar gjeneral në UEFA. Pas kësaj morët kërcënimet dhe u ftuat në bisedë informative nga pushtuesi serb?
Agim Bytyçi:
Po, është e vërtet që i jemi drejtuar UEFA-s për pranim dhe se unë dhe shumë anëtar të kryesisë në atëkohë jemi marr në biseda informative nga ana e policisë pushtuese serbe, besa edhe janë maltretuar fizikisht.
“Bota sot”: Me 14 shkurt të vitit 1993 Kosova zhvilloi ndeshjen e parë zyrtare miqësore në nivel ndërshtetëror, me kombëtaren e Shqipërisë, ku pësuan humbje me 3:1. Cilat ishin emocionet e asaj sfide?
Agim Bytyçi:
Ishte një kënaqësi e madhe, se për herë të parë Kosova luante lojën në Tiranë me kombëtaren e Shqipërisë dhe së s’mund t’i përshkruaj emocionet e atëhershme. Ajo lojë është përcjell me lot. Ne kemi pas edhe një lojë me Maqedoninë Perëndimore në Tetovë, me ekipin Shkëndija edhe aty kemi qenë të mirëpritur nga gjithë shqiptarët e Maqedonisë.

Image

Shqipëria-Kosova 3:1, me 14 shkurt, 1993

“Bota sot”: Çfarë të ju brengos aktualisht më së shumti?
Agim Bytyçi:
Më brengosin shumë gjëra...
“Bota sot”: Cila është porosia për opinionin futbolldashës posaçërisht në përgjithësi sportin?
Agim Bytyçi:
Të investohet më shumë në sport dhe sportin kosovar ta udhëheqin vetë sportistët.
“Bota sot”: A keni kontakte të vazhdueshme me njerëz e futbollit, sidomos të asaj kohe dhe të FFK-së së sotme?
Agim Bytyçi:
Kontaktet me njerëzit e asaj kohe janë të vazhdueshme ende kurse sa i përket anëtarëve të kohës së tashme kam kontakte shumë të rralla. Për atëkohë dhe të tashmen kisha me shkruar një libër. Te gjitha i kam ende të freskëta në kujtesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat