Askush tjetër në Europë, "vrasës" si Ajax!

Futboll

Askush tjetër në Europë, "vrasës" si Ajax!

Më: 30 prill 2019 Në ora: 18:21
Askush tjetër në Europë, "vrasës" si Ajax!

As Manchester City (158 gola), as PSG (139), as Barça (130), as Benfica (128)... Nuk ka ekip në Europë, që ka shënuar 160 gola, sa Ajax në këtë sezon, në të gjitha garat. Kjo shifër ndahet në këtë mënyrë: 111 gola në Eredivisie (kampionatin spanjoll), 32 gola në Champions dhe 17 gola në Kupën e  Holandës. Një rekord, që shpreson të rritet sonte kundër Tottenhamit. “Fëmijët e tmerrshëm” e rikthejnë Ajax-in në gjysmëfinale të kompeticionit më të madh europian për klubet 22 vite më vonë.

"Ne duam të luajmë futboll të bukur, tërheqës. Një stil, që do ta bënte Johan Cruyff të ndihej krenar, nëse do na shihte duke luajtur", - thotë drejtori i klubit, Edwin van der Sar. Megjithatë, vlerësim të veçantë meriton Dushan Tadic. Anësori serb, i konvertuar në një “9 fals” nga trajneri Ten Hag, ka marrë pjesë në 55 gola këtë sezon. Ai ka shënuar 34 gola në Champions, përfshirë edhe sezonet më parë, si dhe ka dhënë 21 asiste. "Më pëlqen roli im i ri, duke lëvizur lirshëm në të gjithë fushën. Gjëja më e rëndësishme, në çdo rast, është ta ndihmoj ekipin sa më shumë që të jetë e mundur", - pranon ai.

Ajax është një shkollë e madhe futbolli, që tashmë ka eliminuar Real Madridin në 1/8 finale (5-3, rezultati total) dhe Juventusin në çerekfinale (3-2). "Ju mund të shihni se si Juve dhe Real Madridi na kishin disi frikë, sidomos pas ndeshjeve të para. Është shumë e vështirë për të luajtur kundër nesh, sepse kemi lojtarë shumë teknikë e të talentuar. Pra, është shumë e vështirë për të kaluar presionin mbi ne. Madje, edhe në mbrojtje", - thotë Ten Hag.

160 golat e Ajax-it në këtë sezon janë një bazë e fortë dhe bindëse për rikthimin e madh në skenën europiane, por jo vetëm. Gjigantët holandezë synojnë të përsërisin vetveten në mënyrë të trefishtë (të fitojnë tripletën), si në sezonin 1971-1972. Vetëm gjashtë ekipe të tjera në histori e kanë arritur këtë. Gjërat nuk mund të shkojnë më mirë deri tani. Ata udhëheqin klasifikimin e Eredivisie, bashkë me PSV, më pikë të barabarta, por me golaverazh më të mirë. Po ashtu, do të luajnë në finalen e Kupës së Holandës kundër Willem II dhe shpresojnë të fitojnë Champions-in e tyre të pestë. 

Dy ndeshje e ndajnë Ajax nga finalja e parë e Champions-it, që nga viti 1996. Asokohe ka pasur Van Gaal në stol, që mori edhe meritat kryesore. Lëvdatat për ekipin aktual vijnë nga të gjitha anët e planetit. "Ata janë duke përmbushur një ëndërr dhe duke bërë diçka të thjeshtë, që duket shumë e komplikuar: të fitojnë me një identitet shumë të përcaktuar”, - ka thënë Jordi Cruyff për “El Pais”, edhe duke iu referuar suksesit të trajnerit Pochettino me Tottenham. 

“Është bukur për t’i parë duke luajtur, një ekip plotësisht krijues”, - thotë Johnny Rep, i cili shënoi gol në finalen e vitit 1973, në triumfin kundër Juventusit.  Ajax, i cili arrin pa mungesa të rëndësishme në këtë pjesë vendimtare të sezonit, gëzon respekt të plotë edhe nga Tottenham, që kthehet në gjysmëfinale të Champions-it pas 57 vitesh. "Ata janë të rinj fantastikë, është emocionuese t’i shohësh duke luajtur. Ajax ka ekipin më tërheqës të futbollit. E njohim mirë filozofinë e tyre të lojës, sepse disa nga kolegët tanë (Davinson, Eriksen, Alderweireld dhe Vertonghen) kanë luajtur atje", - pranon Dier. 

"Ajax është si ne, askush nuk mendonte se do të arrinte këtu. Nëse e kemi bërë këtë, e meritojmë gjysmëfinalen", - shton Pochettino. I fundit që nuk i kursen lavdet për “fëmijët e tmerrshëm”, që janë njohur ndryshe si “nipërit e Cruyff”, është Lucas Moura: "Ata janë shumë të rrezikshëm, kanë lojtarë të mirë dhe të shpejtë". 
Pra, sonte, në stadiumin e ri të Tottenham, shfaqja është e garantuar. Se kush kalon në finalen e madhe të “Wanda Metropolitano”, kjo do të jetë një tjetër histori. Me siguri duhet pritur edhe sfida e kthimit, në Amsterdam.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat