Robertsoni tallet me Suarezin: Kush po shkon në finale?

Futboll

Robertsoni tallet me Suarezin: Kush po shkon në finale?

Më: 8 maj 2019 Në ora: 13:06
Robertson dhe Suarez

Mbrojtësi i Liverpoolit, Andrew Robertson, e thumboi qendërsulmuesin e Barcelonës, Luis Suarezin, pas betejës mes këtyre dy klubeve në gjysmëfinalen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve.

Fillimisht u raportua se Andrew Robertson dhe Luis Suarez ishin përfshirë në një zënkë me fjalë në tunelin e Camp Nou, pas fitores 3:0 të Barcelonën në ndeshjen e parë gjysmëfinale. Pas kësaj, dyshja u takua sërish gjashtë ditë më vonë, këtë herë në Anfield.

Dhe, përderisa Liverpooli arriti ta përmbysë rezultatin në mënyrë tronditëse, duke fituar me rezultat të përgjithshëm 4:3, Robertsoni u detyrua të shikojë pjesën e dytë nga tribunat, pasi që një goditje e Suarezit e la atë të lënduar.

Kapiteni i ekipit kombëtar të Skocisë – i cili në fillim të ndeshjes u zu edhe me Lionel Messin – qeshi i fundit, pasi që skuadra e tij arriti ta sigurojë vendin në finale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, që zhvillohet në stadiumin e Atletico Madridit “Wanda Metropolitano” më 1 qershor.

“Kush do të shkojë në finale? Ne do të shkojmë në finale dhe vetëm kjo gjë ka rëndësi. Sinqerisht, kjo është e gjitha që ka rëndësi tani. Shpresoj se gjithçka do të shkojë në rregull”, u shpreh Robertsoni kur u pyet për lidhjen me Suarezin, që gjatë karrierës kishte qenë edhe lojtar i Liverpoolit.

“Kjo skuadër është sinqerisht e mrekullueshme. E kam thënë këtë gjë shumë herë këtë sezon. Mirëpo, o Zot, çfarë ekipi!”.

Liverpooli do ta zbulojë kundërshtarin e finales sonte, pas përballjes mes Ajaxit dhe Tottenhamit në gjysmëfinalen tjetër. Ajaxi po fiton me rezultat 1:0 dhe ndeshjen e sotshme do ta zhvillojë në shtëpi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat