Ramadani: Para Llapit dhe Prishtinës e kemi Dritën 

Futboll

Ramadani: Para Llapit dhe Prishtinës e kemi Dritën 

Nga: Kemajl Goca Më: 9 maj 2019 Në ora: 19:24
Ramadani: Para Llapit dhe Prishtinës e kemi Dritën 

Një javë që pritet me drithërima nga secila skuadër me përjashtim të Dritës që nuk lufton për asgjë dhe Lirisë e KEK-ut që kanë humbur statusin e elitës së futbollit. Tri skuadra janë në luftë të ashpër titull dhe gjashtë të tjera në garë për t’i ikur barazhit!

Feronikeli udhëheq renditjen me 71 pikë, ka dy më shumë se Llapi dhe Prishtina, të cilat luftojnë fyt për fyti për titullin e ri të kampionit, ndërsa Trepça ’89 renditet e pesta me 39, pasojnë Drenica 38, Flamurtari 38, Ferizaj 37, Ballkani 36 dhe Gjilani 35 pikë, skuadra që kërkojnë ta sigurojnë mbijetesën pa barazh.

Feronikeli nuk e ka takimin e lehtë, ndeshet me kampionin në fuqi Dritën e cila sfidë zhvillohet të shtunën në orën 16.00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas. ‘Niklit’ i duhen tri pikë sikur buka në luftë për titullin e kampionit, e cila është e vetëdijshme se çdo gabim qoftë më i vogël mund t’i kushtojë shtrenjtë. Skuadra nga Drenasi që ka kryetrajner të palodhshmin Zekirija Ramadani, janë të përgatitur për secilën sfidë. Ramadani ka deklaruar se të tri sfidat e fundit janë sikur finale!
“Bota sot”: Feronikeli është në finale të Kupës dhe në anën tjetër shumë afër titullit të kampionit. Tri javë deri në fund, a jeni në presion kur kihet parasysh se janë edhe dy finale, me Llapin në Podujevë dhe me Prishtinën në Drenas?
Zekirija Ramadani:
Falë punës së palodhshme dhe angazhimit maksimal të futbollistëve jemi në prag të dy trofeve. Por duhet të jemi të kujdesshëm se asgjë nuk kemi siguruar. Para Llapit dhe Prishtinës  e kemi Dritën dhe për momentin më intereson ndeshja e radhës edhe kjo është një finale për ne. Futboll pa presion nuk ka por mendoj që kemi eksperiencën e duhur në ekip për të menaxhuar presionin. 
“Bota sot”: A mendoni se është prej kampionateve më atraktive, Feronikeli ka + 2 pikë më shumë se Llapi dhe Prishtina, si dhe çfarë e ka veçuar këtë edicion? 
Zekirija Ramadani:
Sipas të gjithë analistëve ky është kampionati më interesant i pasluftës. Ka luftë të ngushtë për titull dhe për mbijetesë dhe kjo e bën kampionatin të veçantë. Tre skuadra në kreun e tabelës jemi afër 70 pikëve dhe akoma s’ka kampion të sigurtë, kjo është më e veçanta, rivalitet shumë i fortë e pa kalkulime.
“Bota sot”: A mendoni se ndeshja e fundit në Drenas do ta vendos kampionatin?
Zekirija Ramadani:
Shumë herë e kemi cekur se mund të vendos ndeshja e fundit për titull dhe jemi aty afër, jemi përgatitur për të gjitha ndeshjet.
“Bota sot”: Ka kohë që jeni në Kosovë, a ka rritje të nivelit të lojës, po ashtu a ka edhe përmirësim të infrastrukturës?
Zekirija Ramadani:
Patjetër që ka ndryshime pozitive për këto dy vite që punoj në Kosovë edhe në aspektin infrastrukturor por edhe në kualitetin e ndeshjeve dhe të futbollistëve, si dhe shpresojmë që përmirësimet të jenë çdo vit.
“Bota sot”: Si i sheh tri javët e fundit, a do të jenë më të nxehta se të gjitha të tjerat kur dihet se çdo pikë e humbur do të jetë fatale për secilin pretendent për titull?
Zekirija Ramadani:
Janë tre ndeshje për një javë, kjo do të thotë që ekipi duhet të ketë përgatitjen e mirë fizike e sa më pak lëndime, sepse bëhet fjalë për tre ndeshje finale që do të luhen brenda një jave. Kjo do të jetë java më e zjarrte e kalendarit futbollistik.
“Bota sot”: Të shtunën kundër Dritës, cilat janë përparësitë e skuadrës tuaj dhe a keni telashe me lëndime të lojtarëve?
Zekirija Ramadani:
Kemi vetëm Millakun që ndjenë një lëndim dhe është me pikëpyetje paraqitja e tij, kurse përparësi e shoh të ekipi im motivimin dhe objektivi, se ekipi që s’ka objektiv s’ka edhe motivim, është shumë vështirë për trajnerin ta motivoj ekipin, kurse ekipi im kemi pse të jemi të motivuar dhe duhet të luftojmë për fitore ndaj Dritës. Kjo është e vetmja përparësi që kemi me Dritën se e dimë që Drita ka kualitet të lartë në ekip.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat