Rrëfehet Lippi: E urrente Juventus-in, u nda nga jeta duke mbajtur dorën time

Futboll

Rrëfehet Lippi: E urrente Juventus-in, u nda nga jeta duke mbajtur dorën time

Më: 10 maj 2019 Në ora: 07:12
Marcello Lippi

Marcello Lippi, ish-trajneri i Juventus-it dhe Italisë, ka folur për jetën e tij dhe për vizionin e tij të futbollit në një intervistë të dhënë për "Gazetta dello Sport". 

"Loja apo rezultati? Është e vështirë të fitosh, po nuk luajte mirë. Unë kam pasur një Juventus me tre sulmues që bënin presing të lartë. Nuk kam qenë i fiksuar me taktikën: nëse sulmuesit bënin presing të lartë, mesfushorët dilnin përpara, ashtu si mbrojtësit, përndryshe kundërshtarët do të kishin qenë të rrezikshëm", ka thënë Lippi. 

"Pozicioni jashtë loje ishte një pasojë. Unë, një njeri me fat? Po. Kam bërë gjëra të pabesueshme, me pak meritë. Del Bosque ka fituar një Europian më shumë, por unë kam fituar Champions-in e Azisë...". 

Për babanë - "Ishte një socialist i vjetër, kundër pushtetit. Dhe pushteti ishte Juventus-i. Kam shkuar te varri i tij për ta përshëndetur: 'Baba, e di se nuk e duroje dot Juventus-in, por unë do të shkoj'. Marrëdhënia me të? Më linte gjithmonë të fitoja. Pas motrës sime dhe një djali që lindi i vdekur, kam ardhur unë". 

"Në atë kohë nuk mund ta dije përpara seksi i fëmijës dhe kur kam lindur unë ka vrapuar në rrugë duke bërtitur 'është mashkull, është mashkull'. Kur më shkarkoi Cesena, në 1991-shin, kam shkuar tek ai: ishte zverdhur në fytyrë dhe e dërgova te mjeku. Ishte prekur nga bilirubina (degradim i hemoglobinës dhe shkatërrim i rruazave të kuqe të gjakut)". 

"Një muaj më vonë vdiq duke më mbajtur dorën: nuk do të kishte mundur ta bënte po të kisha qenë me skuadrën. Ishim një familje e bukur, jo e pasur, por babai ka ndryshuar qindra punë në mënyrë që të mos na mungonte asgjë. Mamaja ishte rrobaqepëse dhe na qepte gjithmonë veshje të modës".  

Milani - "Në fëmijëri kam qenë tifoz i Milan-it. Banoja afër vendit ku stërviteshin Noletti, Trebbi, Liberalato. I bezdisnim vazhdimisht". 

Futbolli italian - "Si mund të shërohet? Mendohej se kishim marrë fund me të huajt e shumtë, apo jo? Por lindin gjithmonë të rinj, nga Chiesa te Zaniolo, si Totti dhe Del Piero. Ekziston rastësia, por puna me të rinjtë është vendimtare. Kanë qenë momente të vështira, por nuk është e bukur të fitosh gjithmonë. Më të mirën e jep kur thua 'ta tregoj unë': fitoret e mëdha vijnë nga momentet negative".  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat