Reina me komentin më interesant për Casillasin

Futboll

Reina me komentin më interesant për Casillasin

Më: 10 maj 2019 Në ora: 20:25
Iker Casillas dhe Reina

Në një botë si ajo e futbollit, e karakterizuar gjithmonë nga rivalitete që ndonjëherë transformohen në inate personale, është gjithmonë bukur të shikosh se ekzistojnë personazhe në gjendje të marrin vlerësime dhe komplimente në mënyrë unanime. Ky është rasti i Iker Casillas.

Portieri spanjoll, kampion i gjithçkaje me Real Madrid-in dhe Spanjën, tani te Porto, ka trembur pak të gjithë me infarktin që e ka goditur gjatë një seance stërvitore dhe që e ka detyruar të përfundojë në spital. Mes mesazheve të shumta të urimit ka ardhur edhe ai i Pepe Reina, që është kthyer të flasë për ish-shokun e tij të kombëtares.

Në një intervistë të dhënë për “Cadena SER”, portieri i Milan-it ka rrëfyer si po e përjeton Casillas këtë moment. Lojtari i kuqezinjve e njeh mirë, duke parë se për vite ka qenë portieri i dytë ose i tretë i kombëtares, kur porta e Spanjës mbrohej nga “San Iker”. Reina ka zbuluar se ka folur me Casillas dhe se ai i është dukur në formë.

“Më është dukur i lehtësuar, i lumtur, sepse në fund do të mbetet vetëm një frikë e madhe. Është edhe i vetëdijshëm se kjo që ndodhi do ta lejojë të kalojë më shumë kohë me gruan dhe fëmijët”.

Në vazhdim, Reina ka folur për një tërheqje të mundshme të ish-portierit të Realit nga futbolli, por drejtuesi i emisionit e ka informuar se spanjolli nuk ka vendosur akoma se çfarë do të bëjë në të ardhmen. Disa mjekë besojnë se ai mund të vazhdojë të luajë nëse merren masat e duhura, ndërsa të tjerë e kanë këshilluar që të heqë dorë. Reina është në një mendim me këta të fundit.

“Është një gjë që do të na ndodhë të gjithëve. Madje, ai do të tërhiqej duke qenë akoma në majë, duke luftuar për të gjithë objektivat. Nëse kthen kokën mbrapa, nuk mund të jetë veçse krenar për atë që ka bërë. Pastaj, ka fituar para sa për shtatë breza”, ka  thënë Reina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat