Pjesëmarrja në Europë e Flamurtarit

Futboll

Pjesëmarrja në Europë e Flamurtarit

Më: 11 maj 2019 Në ora: 11:24
Pjesëmarrja në Europë e Flamurtarit

Nëse kampionati do të përfundonte sot, atëherë Flamurtari automatikisht fitonte të drejtën e përfaqësimit në Ligën e Europës si vendi i tretë. Mirëpo, ashtu si ndodhi gjatë sezonit të kaluar, tashmë klubi vlonjat ka pak shanse për t’u licencuar nga UEFA për kompeticionet europiane. Flamurtari nuk plotëson kriterin financiar që është edhe më i rëndësishmi, teksa gjithçka vjen prej borxheve të shumta.

“Panorama Sport” mëson se FSHF i ka dhënë një afat të fundit klubit vlonjat për të plotësuar kriteret. Pra, të shlyejë disa nga borxhet që janë më emergjente dhe t’i hapet rruga për licencim. Në të kundërt, edhe nëse kualifikohet sportivisht, atëherë nuk do të marrë pjesë në Kupat e Europës. Gazeta mëson se kjo problematikë është një ndër shkaqet kryesore që pak ditë më parë mbërritën në Shqipëri edhe pronarët e kompanive turke që menaxhojnë Flamurtarin, të cilët drekuan me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, në prani edhe të administratorit të klubit, Sinan Idrizi.

Mësohet se FSHF u ka dhënë kohë drejtuesve që të reagojnë pozitivisht me përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj ishlojtarëve nëse duan të jenë pjesë e Kupave të Europës. Kjo javë do të jetë edhe vendimtare, edhe pse shanset për licencim janë fare të pakta dhe vetëm një mrekulli e klubit mund të bëjë që të plotësohen të gjitha kërkesat dhe UEFA të japë OK-in.

BORXHET – Por çfarë duhet të paguajë Flamurtari për të shpresuar te licencimi?. FSHF i ka vënë si kusht të shlyejë gjyqet e humbura së fundmi në FIFA. Janë katër lojtarët që duhet të shlyhen në mënyrë emergjente. Bëhet fjalë për ata që u larguan vetëm pak muaj më parë dhe kanë fituar gjyqet në FIFA me vendim të formës së prerë si Danilo Alvesh, Goran Siljanovski, Muhamed Useini dhe Kristian Sirghi. Afatet e shlyerjes kanë kaluar, ndërsa klubi është i detyruar t’i paguajë sa për një sezon të tërë. Gazeta zbulon se çdo lojtari klubi u detyrohet nga 45 mijë deri në 50 mijë euro, në varësi të kontratës që kanë nënshkruar. Kësisoj, në rast se Flamurtari kërkon të shpëtojë sezonin, atëherë duhet që në mënyrë urgjente të gjejë marrëveshje me futbollistët dhe mbi të gjitha të shmangë edhe penalizimet nga FIFA.

STADIUMI – Më 29 prill zyrtarë të UEFA-s zbarkuan në Vlorë. Për më shumë se 60 minuta, stadiumi “Flamurtari” ka qenë pjesë e një inspektimi për të parë se si janë kushtet e impiantit dhe për të bërë licencimin e tij. Ata kanë parë me imtësi dhe në detaje çdo gjë. Pjesë e inspektimit është bërë fillimisht pjesa e jashtme përpara stadiumit. Inspektorët kanë bërë foto në këtë territor, por edhe në të gjitha pjesën e tjera hyrëse për në stadium, por edhe daljet e tij. Inspektorët e UEFA-s kanë lënë disa detyra, të cilat duhet që të plotësohen nga klubi vlonjat. Pjesa më e madhe e detyrave lidhet me sigurinë. Ekspertët kërkuan që sidomos portat hyrëse dhe dalëse të jenë të sigurta dhe brenda të gjitha parametrave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat