Hazard bën "tripletë" historike dhe tërbon Real Madridin me 4

Futboll

Hazard bën "tripletë" historike dhe tërbon Real Madridin me 4

Më: 11 maj 2019 Në ora: 11:54
Eden Hazard

Eden Hazard ka fituar çmimet Lojtari i Vitit për Chelsean, Lojtari i vitit për Lojtarët dhe Goli i Sezonit, duke hyrë në historinë e klubit londinez. Mesfushori belg është i pari futbollist që i fiton të tre çmimet në të njëjtin vit. Ai tani e ka fituar çmimin e madh për të katërtën herë, duke u zgjedhur nga tifozët edhe në vitet 2014, 2015 e 2017.

Në këtë ceremoni belgu doli i qeshur në skenë, edhe pse aktualisht është në vazhdën e zërave rreth largimit të tij tek Real Madrid.

"Marrëdhënia ime me tifozët ka qenë e shkëlqyer që kur kam ardhur. Është gjithnjë kënaqësi të luaj në Stamford Bridge, me tifozët tanë, ndaj jam në fushë. Tani kemi mundësinë të fitojmë diçka të rëndësishme dhe do të shkojmë në Baku për t'u kthyer me trofeun", tha Hazard.

Në momentin që Hazard ka qenë në skenë, një zë i fortë erdhi nga publiku: “Firmose kontratën!”. Imenjëhershëm ka qenë edhe reagimi i 28-vjeçarit, i cili me qetësi absolute thotë: “Ku është stilolapsi?” 

Një fjali e shkurtër që shkaktoi të qeshura në sallë, por ka ndezur shpresën tek “blutë” se mesfushori me tipare sulmuese do të pranojë kontratën e ofruar nga klubi londinez dhe do të rinovojë. Kujtojmë që kontrata e tij skadon më 30 qershor të vitit 2020 dhe këtë verë pritet të kalojë në Madrid.

Gjithsesi kjo mbetet thjesht një hipotezë sepse Hazard njihet për batutat e tij gazmore dhe deklarata e tij sipas medieve angleze ka qenë thjesht një shaka, që nuk ndikon në vendimin për të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat