Rrënimi në Anfield, kupa, e ardhmja dhe Coutinho, Valverde gjen forcën të flasë

Futboll

Rrënimi në Anfield, kupa, e ardhmja dhe Coutinho, Valverde gjen forcën të flasë

Më: 11 maj 2019 Në ora: 18:19
Ernesto Valverde

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ka folur në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes që Barça do të luajë këtë të diel ndaj Getafes. Natyrisht, në plan të parë nuk ishte Getafe, por momenti i tmerrshëm psikologjik te Barcelona, pas eliminimit të bujshëm nga Champions League.

Getafe - "Getafe luan si Valencia dhe po jep më shumë se maksimumin për të shkuar në Champions. Jemi në një moment të vështirë, por duhet të shohim përpara, për të lënë pas një javë shumë të keqe. E di që kanë qenë një goditje e rëndë për tifozët dhe lojtarët, për të gjithë ne".

Anfield - "Nuk e kam riparë ndeshjen, por e kam gjithçka të qartë në mendje, duke analizuar fillimin e asaj sfide. Ishim pranë golit, por më pas erdhi goli i Liverpoolit, që në pjesën e dytë na befasoi me dy gola të shpejtë, ashtu si na befasoi te goli i katërt. Kur pëson 4 gola, analizat kalojnë në plan të dytë".

E ardhmja - "Ndihem mirë, jam i fortë. Dua të shoh përpara, nuk do fshihem si struci. Jemi të prekur dhe të dëshpëruar, nuk e mohoj. Mund të humbasësh një ndeshje, problemi është si e humbet. Nuk luajtëm mirë në pjesën e dytë, ishte e dhimbshme. Tani këmbët janë më të rënda se kurrë, por duhet të luajmë futboll dhe ta mbyllim mirë sezonin, sepse nuk kemi mbaruar punë".

Drejtuesit - "Kam folur me presidentin dhe më ka mbështetur gjithnjë. Kur merr një goditje të tillë çdo gjë tronditet, të vjen të thyesh gjithçka, por pastaj duhet të rikthesh gjithçka në vendin e vet".

Coutinho - "Nuk nxitohemi, sezoni nuk ka mbaruar. Na mbetet një ndeshje që vlen një trofe, do të kërkojmë tripletën. Nuk u rrënuam, në muajin maj kemi mbërritur duke qenë në garë për gjithçka. Shpresojmë që Coutinho të vazhdojë të na ndihmojë".

Rakitic - "Bisedova me të, më shpjegoi që shkoi në Sevilje për të takuar gruan dhe vajzat. Po kalonte në rrugë dhe dikush bëri një fotografi me të. Nuk dyshoj te profesionalizmi i tij".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat