Ronaldo po e përjeton sezonin më të dobët në 10 vjetët e fundit

Futboll

Ronaldo po e përjeton sezonin më të dobët në 10 vjetët e fundit

Më: 14 maj 2019 Në ora: 19:29
Cristiano Ronaldo

Transferimi i Cristiano Ronaldos nga Reali i Madridit, ku ishte shpallur për 3 vite me radhë kampion Europe, te italianët e Juventusit, u pa nga të gjithë si një prej lëvizjeve më të bujshme të historisë së futbollit.

Megjithatë kur kanë mbetur vetëm dy javë nga fundi i kampionatit italian, e përditshmja spanjolle ka bërë një analizë të sezonit të portugezit te bardhezinjtë dhe ka arritur në konkluzionin se ky transferim nuk i ka bërë mirë as Realit të Madridit dhe as Crisitano Ronaldos.

Kjo pasi klubi madrilen, pas 3 triumfesh radhazi në Ligën e Kampionëve, këtë sezon e mbylli me “zero tituj”, duke shënuar një nga vitet futbollistikë më të dobët në historinë e viteve të fundit.

Nga ana tjetër, shifrat konfirmojnë se edhe aventura italiane e Cristiano Ronaldos nuk ka qenë në nivelin e pritshmërive, pasi portugezi ka bërë më mirë në çdonjërin prej 9 viteve te Reali i Madridit, sesa këtë sezon te Juventusi.

Këtë sezon Cristiano Ronaldo ka luajtur 42 ndeshje, për një total prej 3556 minutash, në kompeticione si kampionati italian, Liga e kampionëve, Kupa e Italisë dhe Superkupa e Italisë, ndërsa ka rritur të realizojë vetëm 28 gola.

Thënë ndryshe, portugezi ka shënuar një gol çdo 127 minuta, kundrejt një goli për çdo 83.59 minuta, në sezonin paraardhës me Realin e Madridit. Edhe në vitin e tij të parë në kampionatin spanjoll, Ronaldo ka bërë më mirë se këtë sezon, duke shënuar plot 33 gola, ndonëse luajti vetëm 35 takime.

Aktualisht portugezi ka në dispozicion edhe dy takime, atë ndaj Atalantës këtë fundjavë dhe ndaj Sampdorias në javën e fundit të kampionatit, dhe për të barazuar shifrat e sezonit të tij më të dobët të 10 viteve të fundit, duhet të shënojë plot 5 gola.

Vetë Allegri e ka deklaruar se Ronaldo do të vijojë të zbresë në fushë, pasi ka disa objektiva personalë për të arritur, por të shënojë 5 gola në dy ndeshje, duket gati-gati e pamundur, ndaj sezoni i portugezit është i destinuar për të qenë më i dobëti në 10 vitet e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat