Zbulohet oferta e Juves për Allegrin, trajneri vendos kusht largimin e tri yjeve bardhezi

Futboll

Zbulohet oferta e Juves për Allegrin, trajneri vendos kusht largimin e tri yjeve bardhezi

Më: 16 maj 2019 Në ora: 11:36
Allegri

E mërkura duhej të ishte dita e konfirmimit, ose e largimit të Allegrit nga Juventusi. Megjithatë, e ardhmja e trajnerit livornez nuk është ende e qartë. Presidenti bardhezi dhe Allegri i mbajtën të gjithë në ankth dje, pasi e lanë “Continassa” pasdite pa e zhvilluar takimin. Të dy, megjithatë, sipas "La Stampa", do të takoheshin në mbrëmje, larg syve kureshtarë. 

Mësohet se Juventusi ka propozuar rinovimin e trajnerit deri në vitin 2021, me një përmirësim të lehtë të pagës, e cila do të rritet nga 7.5 milionë euro neto në sezon deri në 8 milionë euro. Në këtë pikë mbetet të shihet nëse oferta e klubit kampion të Serie A do të mjaftojë për ta bindur Allegrin, që po ashtu, kërkon garanci teknike. Ideja e trajnerit është që të bëjë një mini-revolucion, i cili ndër të tjera do të siguronte shitjen e Cancelo, Dybala dhe ndoshta të Pjanic.

Për momentin, siç u përmend, për të ardhmen e Allegrit nuk ka asnjë siguri. Kësisoji, sipas “Il Corriere dello Sport”, deri në mbrëmjen e djeshme edhe vetë lojtarët e Juventusit kanë këmbyer mesazhe me njëri-tjetrin në WhatsApp për të mësuar diçka më shumë. Në rast ndërprerjeje të bashkëpunimit me Allegrin, alternativat për stolin e Juventusit nuk do të ishin shumë. Siç raportohet nga “La Stampa”, Agnelli ka refuzuar kthimin e Antonio Conte, ndërsa pistat më të pëlqyera prej tij, Guardiola, Pochettino dhe Deschamps, duket shumë të vështira.

Kjo është arsyeja pse në fund, trashëgimtari i mundshëm i Allegrit mund të jetë Simone Inzaghi, i freskët nga fitorja e finales së Kupës së Italisë dhe gjithmonë shumë i respektuar nga Juventusi. Trajneri, megjithatë, është nën kontratë me Lazion dhe të mërkurën mbrëma, Claudio Lotito e përjashtoi lamtumirën e tij nga stoli bardhekaltër. E vetmja gjë që mbetet është të presim, me pak fjalë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat