Rrëfimi i Beckham, si e detyroi Ferguson ta rruaj kokën para ndeshjes

Futboll

Rrëfimi i Beckham, si e detyroi Ferguson ta rruaj kokën para ndeshjes

Më: 17 maj 2019 Në ora: 09:36
David Beckham

David Beckham zbulon se Sir Alex Ferguson e ka detyruar njëherë që të rruajë kokën përpara një ndeshje të Manchester United në “Wembley”.

Ish-kapiteni i “djajve”, i njohur për stilimet e tij të shpeshta të modelit të flokëve për kohën, tregon se atëherë i kishte prerë flokët në stilin mohikan dhe po bënte nxehmjen për ndeshjen e Superkupës së Anglisë kundër Chelseat në “Wembley” në fillim të sezonit 2000-’01.

Gjithçka e kishte fshehur nën kapuç, por kur trajneri skocez e pa, i tha mesfushorit të tij se duhet që ta rruante kokën, që ai ta linte të zbriste në fushë.

“Po ecja në dhomën e zhveshjes dhe ai nuk e kishte parë, sepse unë kisha shumë frikë edhe t’ia tregoja. Një ditë më parë në stërvitje kisha shkuar me një kapuç, u stërvita me të në kokë, shkova në hotel prapë me të, hëngra darkë, mëngjes në autobus dhe deri në stadium me kapuç.

Kur u bëmë gati për ndeshjen duhej ta hiqja dhe ai më tha menjëherë: ‘Shko rruaje’! Unë qesha dhe ai u vrenjt dhe më tha: ‘Jo, e kam seriozisht. Shko rruaje’! Kështu që gjeta një palë gërshërë dhe e rrova në stadium. Vendos gjithnjë trajneri”, tregon Beckham për platformën “Otro”.

Chelsea e mposhti United 2-0 në ndeshjen që ngre siparin e sezonit me golat e Hasselbank dhe Mario Melkiot. Bekham ia tregoi më në fund botës prerjen e tij të flokëve mohikan në fund të sezonit, kur ishte i grumbulluar me kombëtaren angleze. Ai shton se incidenti i tij me legjendën e stolit të United nuk do të kishte ndodhur në futbollin e sotëm, ku prerjet ekstravagante të flokëve nga futbollistët janë bërë diçka normale.

“Është shumë më normale ta bësh këto ditë. Është shumë më normale të mbash një kreshtë të tillë, një tatuazh në qafë, apo të veshësh këpucë me ngjyra. Kur ne rriteshim, trajneri nuk na lejonte që të shkelnim në fushë me një palë këpucë të kuqe apo të bardha. Kaq e thjesht është. Gjerat kanë ndryshuar pa dyshim”, përfundoi 44-vjeçari.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat