Në Durrës e Vlorë luhet Europa

Futboll

Në Durrës e Vlorë luhet Europa

Më: 18 maj 2019 Në ora: 15:29
Në Durrës e Vlorë luhet Europa

Me titullin kampion që tashmë ka shkuar në shtëpinë e Partizanit, Kategoria Superiore ka ende verdikte sezonale për të dhënë, si skuadrat që do të përfaqësojnë vendin në Europë, por edhe ekipin tjetër që do të bjerë nga kategoria, ndërsa sot nis edhe sprinti final i tre javëve të fundit.

Kështu vëmendja maksimale do të jetë në kryeqytet, pasi në “Selman Stërmasi” do të luhet sfida direkte për mbijetesën, mes Tiranës dhe Kastriotit, dhe për faktin që jemi vetëm 3 javë nga fundi, kjo përballje do të vendosë shumë.

Bardheblutë vijnë pas humbjes në derbi ndaj partizanit, ndërsa krutanët pas fitores 2-0 ndaj Flamurtarit, por Tirana ka dy pikë më tepër në renditje dhe në rast fitoreje sot, do të mund të cilësonte veten si të shpëtuar.

Nga ana tjetër, te Kastrioti e dinë mirë se që prej fillimit të sezonit, janë më pranë mbijetesës se kurrë, por për të mos hedhur dëm mundin e treguar në fushë më 2019-ën, duhet të marrin pikë të plota sot në një “Selman Stërmasi” të boshatisur, për shkak të pezullimit të tifozërisë bardheblu.

Një tjetër përballje direkte, por këtë herë për një vend në zonën europiane, do të jetë ajo e Vlorës, ku Flamurtari vendas do të presë Laçin e Sulejman Starovës. Dy skuadrat mbajnë vendin e 5-të dhe të 4-t, me vetëm një pikë diferencë mes tyre, ndaj sfida e sotme pritet të japë sinjale të qarta për renditjen finale.

Vlonjatët vijnë pas 3 humbjeve radhazi dhe shumë problemesh të brendshme, ku pagat mungojnë prej muajsh, por në sprintin final të kampionatit, duket se janë gati të provojnë gjithçka kanë në duart dhe këmbët e tyre, për t’u renditur në zonën europiane.

Më i qetë sa i përket Europës, është Kukësi, që përveçse ka blinduar vendin e dytë, ka arritur të dalë edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë, duke ruajtur të hapur edhe një rrugë tjetër për të marrë pjesë në këto gara.

Verilindorët do të presin sot pasdite Skënderbeun në stadiumin e Kamzës, në një sfidë ku në rast fitoreje do të mund të siguronin edhe matematikisht pjesëmarrjen në fazën eliminatore të Europa Leagues.

Nga ana tjetër, korçarët kanë treguar oshilacione të shumta dhe mungesë pjekurie këtë sezon, por matematikisht kanë ende shanse për t’u bërë pjesë e zonës europiane (ku do të mund të përfaqësohen vetëm nëse u hiqet pezullimi nga UEFA), por për këtë duhet të kthehen me 3 pikë sot nga Kamza.

Sfida e fundit për sot do të jetë ajo e “Niko Dovanës”, ku Teuta e vendit të tretë do të presë Partizanin e kurorëzuar kampion. Pas një “hemorragjie” humbjesh, durrsakët janë rikthyer për sprintin final dhe pas fitores 1-2 në Korçë, sot do të kërkojnë një tjetër sukses, për të blinduar pozitat në zonën që të jep të drejtën për të luajtur në kupat e Europës.

Të gjitha sfidat e kësaj jave do të luhen në të njëjtën orë, pra 16:30 dhe do të transmetohen live dhe ekskluzivisht në Supersport 3, 4, 5, 6, ndërsa nuk do të mungojë as emisionin “Gol pas Goli”, ku moderatorja Vilma Masha, bashkë me panelin e gazetarëve dhe analistëve, do të sjellin detaje dhe intervista të protagonistëve, para dhe pas ndeshjeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat