De Ligt-Barcelona kthehet në “telenovelë”; problemi është Raiola

Futboll

De Ligt-Barcelona kthehet në “telenovelë”; problemi është Raiola

Më: 23 maj 2019 Në ora: 18:00
Matthijs De Ligt

Mediat e bëjnë thuajse të sigurt, ashtu sikurse ka lënë të kuptojë edhe vetë lojtari. Matthjis De Ligt do të largohet nga Ajax për te Barcelona, por kjo gjë po shndërrohet në një “telenovelë” të merkatos së kësaj vere. Klubi blaugrana e do kapitenin e gjigantëve holandezë, por Mino Raiola ka ngritur “murin” e tij, kërkon kohë për të marrë vendim. Agjenti i mirënjohur, i cili menaxhon interesat e mbrojtësit 19-vjeçar, nuk duket i prirur për t'ia hapur “dritën jeshile” Barcelonës. 

Përkundrazi, ai po përpiqet ta bindë De Ligt që ta shtyjë "po" e tij me shpresën se katalanasit do të ofrojnë më shumë para. Këtë e bën që Barcelona të bëjë ofertë tërheqëse financiare, të paktën sa klubet e tjera të interesuara. Një i tillë është Manchester United, i gatshëm t’i japë talentit holandez 14 milionë euro në sezon, sipas katalanases “Sport”. Nëse shtojmë në këtë mes edhe dyshimet që ka vetë futbollisti lidhur me destinacionin e ardhshëm, për shkak të frikës se nuk luan dot titullar, marrëveshja mes De Ligt dhe Barcelona bëhet tejet e ndërlikuar. 

Si “nyjë” penguese e finalizimit të operacionit po shërben Raiola, i cili e ka shtuar konfuzionin e lojtarit. Megjithatë, Barça i ka idetë e qarta. Ajo do të mbetet e vendosur në ofertën e formuluar, 75 milionë euro për Ajax. Qëllimi i blaugranëve është bindja e De Ligtin se duke zgjedhur Barcelonën, ai do të ketë mundësinë të luajë me Messin, një komponent që do të shkonte përtej aspektit ekonomik. Kjo vijësjellje e katalanasve do të çmontonte automatikisht edhe kapriçot e Raiolës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat