Chiellini nuk e sheh dot Conte tek Interi, Ronaldon e vlerëson si një hyjni - Bota Sot
Chiellini nuk e sheh dot Conte tek Interi, Ronaldon e vlerëson si një hyjni

Futboll

Chiellini nuk e sheh dot Conte tek Interi, Ronaldon e vlerëson si një hyjni

Më: 24 maj 2019 Në ora: 13:33
Giorgio Chiellini

Fjalë kapiteni, që kanë peshë. Giorgio Chiellini ka dhënë një intervistë të gjatë për “Tuttosport”, në të cilën analizon sezonin që po përfundon, por gjithashtu parashikon edhe të ardhmen. Duke filluar nga trajneri i ri bardhezi, emrin e të cilit Chiellini ende nuk e di: "Jo, nuk kam asnjë ide se kush do të jetë. Si ju, lexoj çdo ditë emra që lidhen me postin e trajnerit të Juventusit. Dhe e bukura është se gazetarët e japin lajmin, shkruajnë edhe emrin me siguri, flasin me detaje të padyshimta, por pastaj më pyesin mua për t’ua konfirmuar. Unë jam shumë i qetë në këtë drejtim, nuk di më tepër se ju gazetarët, por jam i bindur se do të jetë një trajner i madh. Ai do të jetë një emër i denjë për Juventusin dhe Juventusi do të vazhdojë të fitojë".

Pastaj, Chiellini falënderon Allegrin dhe nënvizon punën e madhe të bërë nga trajneri livornez: "Jam shumë i lumtur që kemi punuar me të pesë vite. Ndoshta bëri diçka të papërsëritshme, prandaj nuk do të isha i befasuar ta shihja përsëri në drejtimin e Juves, brenda pak vitesh. Dashuria që Max ka për Juventusin dhe anasjelltas është aq e madhe, sa nesër mund të gjenden përsëri bashkë".

Një faktor me ndikim në këtë sezon të Juventusit ishte me siguri ardhja e Cristiano Ronaldos. Kapiteni bardhezi ka vlerësim maksimal për portugezin: "Ai ishte një hyjni, një futbollist superior. Ardhja e tij ishte shumë e rëndësishme për të mbushur boshllëkun që na la Gigi Buffon. Cristiano është një shembull për të gjithë me përkushtimin e tij për të punuar. Ai u integrua në mënyrë të përsosur në qytet, shkon në restorant, nëna ime shpesh e ka takuar atë në qendër”. 

Më pas, kapiteni i Juventusit foli edhe për shkuarjen e mundshme të Antonio Conte tek Interi: "Mua nuk më pëlqen, madje e urrej mundësinë që ta shikoj Conte atje. Sidoqoftë, është pjesë e jetës. E kuptoj se trajnerët, ashtu si ne lojtarët, janë profesionistë, por ta shoh atë tek Interi, do të ishte e çuditshme për mua. Kjo nuk është kritikë, pasi të gjithë e dinë se kam një marrëdhënie të veçantë me Antonio”. 

Së fundi, Chiellini pranon se karriera e tij si futbollist tani po i afrohet fundit, ndërsa e përjashton një të ardhme si trajner: "Gjithmonë ka një fillim dhe një fund, kjo është e natyrshme. Në gusht do të mbush 35 vjeç, do të luaj edhe një apo dy vite, më duket pothuajse e pamundur të jenë tre të tillë. Më pas do doja të mbetesha pjesë e futbollit, në ndonjë pozicion drejtuesi. Nëse mendoj për të ardhmen, nuk e llogaris profesionin si trajner. Nuk mendoj se është diçka për mua".

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...