Sfida e fundit me derbi shqiptar në Maqedoninë Veriore

Futboll

Sfida e fundit me derbi shqiptar në Maqedoninë Veriore

Më: 26 maj 2019 Në ora: 12:46
Sfida e fundit me derbi shqiptar në Maqedoninë Veriore

Shkëndija nga Tetova të dielën si ‘mysafirë’ të Renovës luajnë duelin e fundit në edicionin e sivjetshëm në LPFM gjatë të cilit mbrojtën titullin e kampionit të fituar vitin e kaluar.

Sezoni 2018/2019 mbyllet të dielën me kuqezinjtë që sërish fituan kampionatin dhe 90-të minutat e fundit me Renovën kushtimisht thënë si mysafirë do t’i luajnë pa ndonjë ngarkesë në aspekt të rezultatit. Shkëndija të dielën e kaluar deklasoi 4:1 Akademia Pandevin, ndërsa më pas pranoi trofeun dhe festoi titullin e tretë kampion në histori dhe të dytin me rradhë.

Sezoni i dytë i suksesshëm padyshim se sjell kënaqësi të kuqezinjtë, por ekipi ka tjera objektiva në vazhdim dhe nuk ka shumë kohë për festë. Skuadra është kthyer në stërvitje për tu përgatitur për ndeshjen e fundit sezonale kundër Renovës. Stafi teknik ka punuar pa tre reprezentuesit e shpresave të Shqipërisë, Arbin Zejnullai, Omar Imeri dhe Shefit Shefiti, të cilët momentalisht janë grumbulluar me seleksionuesin e ri të kombëtares A kuqezi, Edi Reja ndërsa nga 28 maji kalojnë nën urdhërat e Alban Bushit me Shqipërinë U19. Gledi Mici do të humbë duelin e fundit kampional shkaku i pezullimit me pesë kartona të verdhë, kurse ende nuk janë gati për lojë Besart Ibraimi dhe Kostadin Zahov.

Renova ka zhvilluar sezon mesatarë dhe mes ndryshimeve të shumta në formë në xhiron e fundit mund të kapin edhe Europën. Triumfi i Akademia Pandevit në Kupën e Maqedonisë dhe mosdhënia e licencës për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare për ekipin e vendit të dytë Vardarin e bën xhiron e fundit shumë interesante. Tani Europën e kapin edhe ekipet që do të zënë pozitat nr. 5 e 6 dhe janë Rabotniçki, Shkupi, Renova dhe Makedonija Gj.P. skuadrat që shpresojnë xhiroja e fundit tu rezultojë me fat. Kështu, kuqezinjtë pritet të ndeshen me rival të motivuar që kërkon pikët e Europës, megjithëse përparësia e Shkëndijës do të jetë fakti se ekipi do të luajë pa kurfarë ngarkese psiqike.

Ndeshja ndërmjet Renovës dhe Shkëndijës luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 16:30.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat