Mos i tradhto...

Futboll

Mos i tradhto...

Më: 29 maj 2019 Në ora: 10:38
Sarri

"Unë mendoj vetëm për finalen, pastaj do të flas me Chelsea, për të kuptuar se çfarë mendon menaxhmenti i klubit për të ardhmen". Këto janë fjalët, që Maurizio Sarri i ka përsëritur përditë. E ardhmja e tij, pra, do të njihet vetëm pas përfundimit të finales së Ligës së Europës, që do të luhet sonte në mbrëmje, në Baku, kundër Arsenalit. Sidoqoftë, mundësia që ai mund të ulet në stolin e Juventusit ka shqetësuar edhe një tifoz të vogël të Napolit.

Në orët e fundit, poshtë shtëpisë që Sarri ka pasur në Napoli, sa ishte në “Sao Paolo” (në Figline Valdarno), një baner është shpalosur aty. Më pas është postuar në rrjetet sociale nga disa tifozë të napoletanëve, si njëlloj "ultimatumi" për Sarrin, që të mos bashkohet me "armiqtë" e mëdhenj, sikurse bëri Gonzalo Higuain. Në të shkruhet: "Komandanti nuk e tradhton popullin (njerëzit). Napoli ju do!"

Mesazhi është i qartë: mos shko te Juventusi. Gjithsesi, kjo është një mundësi, që duket të jetë më konkrete se kurrë, duke pasur parasysh të gjithë elementët. Sarri është gati për t’u larguar nga Chelsea, ndërsa “Zonja e Vjetër” po kërkon një trajner të ri. Vetëm në ditët në vijim do të ketë lajme për fatin e Sarrit. Një triumf në Ligën e Europës mund të ndryshojë çdo skenar, edhe pse thuhet se Chelsea e ka vendosur të bëjë pa italianin. Te Juventusi janë në pritje. Po ashtu, te Napoli.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat