Tirana nuk licencohet për ndeshjet e Europës...

Futboll

Tirana nuk licencohet për ndeshjet e Europës...

Më: 29 maj 2019 Në ora: 10:39
Tirana nuk licencohet për ndeshjet e Europës...

Tirana me të gjitha gjasat nuk do të licencohet në Europë, edhe pse më 2 qershor nëse fiton Kupën e Shqipërisë, mund të fitojë të drejtën të luajë në Europa League. Lajmet nga Komisioni i Licencimeve në FSHF nuk janë të mira dhe Tirana së bashku me Flamurtarin, Luftëtarin dhe Kastriotin nuk do të kenë shansin për të treguar veten në Europë. Bardheblutë dihet që kanë ngelur në raundin e parë të licencimeve.

Klubi bardheblu ka apeluar vendimin dhe shpresonte në një rikthim në Europë të klubit. Gjithsesi, edhe apelimi i bardhebluve nuk është se ka sjellë atë që pritej. Tirana sërish ka mbetur në klasë dhe nuk do të shkojë në Europë edhe nëse fiton Kupën e Shqipërisë. Shkak janë bërë borxhet e shumta që ka klubi, por edhe probleme të tjera të ekipit. Administrata e klubit bardheblu është munduar që të plotësojë kushtet e licencimeve, edhe pse borxhet kanë qenë të mëdha.

Ekipi ka larguar nga vetja borxhin e mbetur të Muzakës, ndërkohë që problem janë detyrimet te tatimet (me të cilët është bërë marrëveshje) dhe të tretët. Bardheblutë u ndëshkuan dy vite më parë me mosdhënien e parave që fituan nga pjesëmarrja në Europë, sepse kishin shkelur rregullat e “Fair Play”-it Financiar. Klubi jo vetëm që humbi të drejtën të luante në Europë dhe nuk u licencua në sezonin pasardhës, por u ndëshkua edhe me gjobë, ose mosdhënien e parave që kishte fituar në Europë. Për këtë shkelje, u ndëshkua gjithashtu edhe Federata Shqiptare e Futbollit. Pra bardheblutë marrin një goditje të madhe para finales së Kupës së Shqipërisë, teksa humbasin të drejtën për të fituar një grusht të madh parash, që do t’i merrnin nga kualifikimi në Europa League.

Edhe pse të dhjetë klubet kanë firmosur një kontratë fshehtësie me FSHF-në që të mos zbulohet asgjë para 2 qershorit, mësohet se veç Tiranës, klubet e tjera që nuk do të fitojnë licencën janë disa. Bëhet fjalë për Flamurtarin që i ka pikët, por nuk do të shkojë në Europë, Luftëtari që u kualifikua sezonin e shkuar, si dhe Kastrioti, ndërsa Kamza nuk hyri fare në vlerësimin e dokumentacionit nga ana e FSHF-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat