Këta janë 11 talente të ndarjes së drejtësisë 

Futboll

Këta janë 11 talente të ndarjes së drejtësisë 

Më: 29 maj 2019 Në ora: 13:23
Këta janë 11 talente të ndarjes së drejtësisë 

Federata e Futbollit e Kosovës para dy vitesh ka filluar me programi për mentorë dhe talente të referimit, derisa sot ky program është finalizuar me shpërndarjen e diplomave dhe certifikatave për pjesëmarrësit.

Gjatë këtij programi 2-vjeçar 11 talente të referimit kanë pasur nga një mentor, të cilët e kanë përcjell punën e tyre dhe u kanë dhënë udhëzime në fushën e referimit.

Po ashtu gjatë kësaj periudhe janë mbajtur grumbullime dhe seminare të ndryshme me talentet e referimit, të cilat ata i kanë përmbushur me sukses.

I pranishëm në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave ishte edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi. Me këtë rast, ai, i përgëzoi talentet e referimit për përmbylljen e suksesshme të këtij programi dhe e ritheksoi rëndësinë që po i jep FFK-ja ngritjes së kuadrove të reja në të gjitha segmentet, derisa e ka falënderuar instruktorin e FIFA-s, Alan Snoddy për përkrahjen e vazhdueshme që po i jep futbollit të Kosovës.

“Jeni gjenerata e parë e cila keni arritur ta finalizoni këtë program të ri, të cilin e ka mundësuar FIFA. Ju jeni gjeneratë e cila në një të ardhme të afërt do ta bartni barrën e referimit në Kosovë. Do të jetë një barrë e rëndë për ju për faktin se do të jeni shembull për gjeneratën që do të vjen. Prandaj, duhet të keni mision drejtësinë dhe profesionalizmin gjatë punës suaj të ardhshme si gjyqtar të futbollit. Kjo certifikatë ua jep mundësinë për ta bërë hapin e parë në profesionin e gjyqtarit të futbollit, derisa puna, sinqeriteti, drejtësia dhe profesionalizmi juaj ju bën që të jeni ata që duhet dhe të ecni përpara”, ka theksuar presidenti Ademi.

Ndërkohë, Alan Snoddy, është shprehur i lumtur për punën dyvjeçare me talentet dhe për certifikimin e tyre, derisa tha se ka marrë raportet e vazhdueshme nga menaxheri i gjyqtareve lidhur me progresin e talenteve. “Ky program është hapi i nevojshëm dhe forma e duhur se si duhet të bëhet përgatitja profesionale dhe edukimi i gjyqtarëve”, ka thënë Snoddy.

Shpërndarja e certifikatave u bë nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, instruktori i FIFA-s, Alan Snoddy, kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani dhe menaxheri i gjyqtarëve dhe koordinatori i programit, Visar Kastrati.

FFK-ja gjatë këtij viti do të fillojë me gjeneratën e dytë të talenteve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat