Roma në kaos

Futboll

Roma në kaos

Më: 30 maj 2019 Në ora: 17:28
Roma në kaos

Përqafimi mes Tottit dhe De Rossit, të dielën e kaluar, do të mbetet një kujtim i pashuar në mendjet e tifozëve të Romës, por ajo fsheh një vit tejet të komplikuar dhe të tensionuar, siç zbulon “La Repubblica”.

Sipas të përditshmes romane, ka pasur një konspiracion real të mesfushorit, i cili i dha lamtumirën ekipit verdhekuq në fundin e sezonit, në dëm të ish-numrit 10 të Romës.

Dy gazetarë të “La Repubblica”-s shkruajnë se De Rossi, bashkë me “senatorët” e ekipit, Kolarov, Manolas dhe Dzeko, kanë kërkuar që prej dhjetorit të vitit të kaluar largimin e ish-kapitenit nga “Trigoria”, “duke e zëvendësuar atë me dikë që do të mundej ta mbante larg”. Pas tij, duheshin larguar edhe trajneri Di Francesco dhe drejtori sportiv Monchi.

Gjithçka duket se e konfirmon një “e-mail” i shkruar mëngjesin e 16 dhjetorit nga Ed Lippie, përgatitësi atletik dhe njeriu më i besuar i presidentit Jim Pallotta, me këtë të fundit që ishte destinacioni i mesazhit elektronik.

Presidenti, që ndodhej në Boston të Shteteve të Bashkuara, informohej se në skuadër kishte shpërthyer kaosi: Di Francesco, Monchi dhe Totti nuk shihen mirë nga një pjesë e lojtarëve.

Lippie, i cili është larguar vetëm pak kohë më parë nga Roma, i zbulonte numrit 1 të skuadrës romane edhe burimet e këtij kaosi: mjeku i ekipit, Riccardo del Vescovo, dhe fizioterapisti, Damiano Stefanini.

Pallotta, ndërkohë, vendosi të informonte palët e interesit mbi këtë “e-mail”, gjë që “për Tottin rezultoi një tronditje e thellë”. Por presidenti amerikan zgjodhi të mos ndërhynte, në mënyrë që të mos kompromentonte sezonin. Pas eliminimit nga Champions League nga Porto, erdhi edhe reagimi: shkarkohet trajneri, drejtori sportiv e më tej edhe mjeku me fizioterapistin, një mik i De Rossit, pa dhënë shumë shpjegime.

Prej atëherë u duk një “ftohje” mes Tottit dhe De Rossit, deri në atë përqafim të së dielës dhe fjalët “Nuk doja”, të cilat sot marrin nënkuptime të ndryshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat