Flamurtari rrezikon

Futboll

Flamurtari rrezikon

Më: 31 maj 2019 Në ora: 13:05
Flamurtari rrezikon

Flamurtari i Vlorës e mbylli sezonin 2018/19: me nder në fushë, me turp jashtë saj. Kuqezinjtë e mbyllën në vendin e pestë, vetëm 5 pikë larg Kukësit të vendit të dytë, një arritje e madhe për një ekip që për gjysmën e sezonit ka luajtur "gjysmagjel", ndërsa kanë sakrifikuar pa fund trajneri Daja dhe lojtarët e mbetur, sepse nuk paguhen prej verës së shkuar.

Në çdo vend tjetër normal në Europë do ishte një skandal me përmasa gjigante, që do çonte te zbritja e klubit nga kategoria, por në Shqipëri funksionon ndryshe.

Lojtarët kanë pritur, pa fund, duke besuar te përrallat e Sinan Idrizit, apo duke shpresuar që bashkia Vlorë të japë një sinjal që është gjallë dhe nuk e ka harruar që është ende pronare e klubit që në vitet '80 bënte të krenohej gjithë Shqipëria.

E kotë, edhe pas ndeshjes kundër Tiranës heshtje mortore dhe futbollistët e stafi drejtues që largoheshin kokulur. Për fat, të gjithë kanë kontrata të rregullta, depozituar në FSHF, ndaj prej ditës së hënë do të nisë seria e padive ndaj Flamurtarit, sepse djersa dhe sakrificat nuk mund të shkelen me këmbë deri në këtë pikë.

Do të jetë një verë e nxehtë në Vlorë, jo thjesht nga moti, por edhe nga dënimet që pritet të vërshojnë, aq sa nuk është çudi që sezoni i ri të nisë me heqje pikësh apo zbritje nga kategoria, pohojnë burime në FSHF. UEFA e ka treguar rrugën, Flamurtari është i mbytur nga borxhet dhe tashmë edhe FSHF nuk mund të mbulojë diellin me shoshë e të paguajë nga arka e vet borxhet e vlonjatëve.

Deri tani nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri që një klub të përjashtohet nga kampionati për borxhe, por nëse këtë verë nuk likuidohen gjithë borxhlinjtë që do vërshojnë në dyert e Federatës Shqiptare të Futbollit, përjashtimi duket i sigurt dhe në këtë pikë nuk e merr vesh i pari të dytin çfarë do të ndodhë, me Kastriotin që mund të kthehet në Superiore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat