Shqipëria, gati për sfidat kualifikuese

Futboll

Shqipëria, gati për sfidat kualifikuese

Më: 31 maj 2019 Në ora: 17:08
Pamje nga konferenca

Shqipëria përgatitet maksimalisht për sfidat e kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2020. Me 8 qershor si mysafir ndeshen me Islandën dhe me 11 qershor e presin Moldavinë në kuadër të grupit H. Futbollistët e kombëtares së Shqipërisë, Odise Roshi dhe Amir Abrashi, shprehen optimistë para këtyre sfidave të mëdha. “E kemi nisur shumë mirë me trajnerin e ri. Stërvitjet kanë shkuar perfekt, përgatitemi çdo ditë për ndeshjen me Islandën dhe jemi shumë të përqendruar. Për trajnerin Panucci kemi respekt, nuk e hedhim dot poshtë. Do flas për Rejën, është shumë i komunikueshëm. Me çfarë kam parë çdo gjë është perfekt. Çunat janë të lirshëm dhe ka ritëm në stërvitje. Po mendojmë për ndeshjen me Islandën. Përgjegjësitë? Çdo gjë është OK, kemi bërë më të mirën gjithmonë. Nuk duhet të shohim prapa, e ardhmja janë lojtarët që janë grumbulluar dhe trajneri Reja që po punon mirë deri tani. Skema 3-5-2? Kemi kualitet, e kemi provuar. Besoj se duhet të punosh shumë në mbrojtje dhe në sulm. T’ia lëmë ndeshjes çfarë mund të ndodhë. Edhe mund të fitojmë me Islandën. Kam ardhur nga një dëmtim shumë i gjatë, kam punuar të kap formën. Prej dy muajsh luaj rregullisht.

Ndihem mirë dhe do jap më të mirën time nëse luaj nga fillimi. Jam gati në 100 për qind të formës time. Islanda ka pasur një ekip të mirë dhe të fortë. I kam parë me Francën, edhe pse humbën 4:0 kanë kualitet. Janë ekip ofensivë dhe është një përballje direkte me të”, tha Roshi. Amir Abrashi mendon se do të jenë të përgatitur maksimalisht para këtyre sfidave. “Kam luajtur me Freiburgun dhe kam bërë ndeshje të mira. Kam qenë pak i lodhur në fund të sezonit, por tani jam më i freskët fizikisht, pasi kemi pasur kohë edhe për t’u çlodhur. Kemi bërë ndeshje të mira, por ka munguar rezultati. Kemi pasur dhe lojtarë të dëmtuar.

Tani jemi me trajnerin Reja dhe do të kërkojmë të marrim rezultat pozitiv ndaj Islandës. Nuk kam dëshirë të krahasoj trajnerët, rezultatet do ta tregojnë diçka të tillë. E rëndësishme është që ekipi të jetë bashkë dhe lojtarët të jenë sa më të bashkuar. Nuk duhet të bëhemi nervozë dhe duhet të japim 100%. Duhet të jemi me zemër bashkë dhe të vrapojmë sa më shumë. Jam gati, nëse nuk do të isha gati nuk do të vija këtu. Jam plotësisht gati për trajnerin Reja dhe jap maksimumin. Gjithçka që kam unë e jap për ekipin”, tha Abrashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat