Pochettino flet për finalen e madhe Tottenham – Liverpool

Futboll

Pochettino flet për finalen e madhe Tottenham – Liverpool

Më: 31 maj 2019 Në ora: 21:17
Pochettino

Trajneri i Tottenham, Mauricio Pochettino, ka folur në konferencë për shty në prag të finales së Champions League që skuadra e tij do të luajë të shtunën në mbrëmje kundër Liverpool-it në Madrid.

– E keni zgjedhur formacionin titullar? Do të luajë Kane?

“Lojtarët nuk dinë asgjë akoma. Kemi akoma edhe një seancë stërvitore dhe më pas do të vendos. Është e dhimbshme të jesh i detyruar të aktivizosh vetëm 11 lojtarë nga minuta e parë në ndeshje të tilla”.

“Nuk e kam të lehtë të marr vendime për ndeshjen e nesër. Gjithsesi, jam i bindur se do të bëjmë zgjedhjet e duhura. I kam kërkuar UEFA-s të kem mundësinë të marr të gjithë organikën në fushë nesër para ndeshjes, në mënyrë që ta bëjmë të gjithë bashkë fotografinë tradicionale”.

– Si e gjykoni ecurinë e Liverpool-it?

“Bashkë me Manchester City, janë skuadra më e mirë e Premier League. Kanë bërë një sezon të madh dhe meritojnë elozhe. Liverpool-i ka një histori të madhe, por ne duhet të kërkojmë të argëtohemi dhe të fitojmë, sepse duam të shkruajmë historinë”.

– Si është gjendja e skuadrës ?

“Udhëtimi drejt finales ka qenë i pabesueshëm dhe mund të përsëris se është një kënaqësi të menaxhosh këta lojtarë. Jam krenar për ata, janë të hapur për gjithçka dhe ndjekin në perfeksion këshillat e mia dhe të stafit tim. Skuadra do të jetë gati të vrapojë dhe të argëtohet”.

– Si jeni përgatitur për këtë ndeshje?

“Natyrisht, një ndeshje e tillë nuk mund të përgatitet si miqësore. Gjëja e rëndësishme është të jemi gati edhe nën presion, veçanërisht në raste të tilla, kur ke 1 miliard njerëz që të shohin. Çelësi është të mos mendosh shumë dhe loja e skuadrës”.

– Çfarë mendimi keni për Klopp?

“Jurgen është një trajner shumë i suksesshëm. Është fantastik dhe e vlerësoj shumë. Është gjithmonë i lumtur, gjithmonë optimist, një shembull shumë i mirë për të tjerët me spontanitetin e tij. Në finalet që ka humbur ka qenë i pafat. Ndonjëherë, ka disa gjëra që nuk mund t’i kontrollosh”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat