Ndihmës trajneri i Malit të Zi: Kosova ekip serioz dhe cilësor, por do të tentojmë t’i shfrytëzojmë gabimet e saj

Futboll

Ndihmës trajneri i Malit të Zi: Kosova ekip serioz dhe cilësor, por do të tentojmë t’i shfrytëzojmë gabimet e saj

Më: 3 qershor 2019 Në ora: 11:21
Ilustrim

Ndihmës trajneri i Malit të Zi, Aleksandar Jankovic, e pranon se edhe pse Kosova është Kombëtarja më e re në botë, gjithsesi ka një ekip shumë serioz dhe cilësor, por shpreson se skuadra e tij do të mundë t’i shfrytëzojë gabimet e mundshme të verdhekaltërve në përballjen e Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020 këtë fund javë në një stadium pa tifozë në Podgoricë.

Mali i Zi do të përballet me disa mungesa të theksuara në ndeshjen e 7 qershorit në Podgoricë, si Stefan Savic, Marko Simic, Stefan Mugosa, Nebojsa Kosovic Sead Hakšaba Nović dhe Filip Stojkovic, të cilët nuk janë pjesë e përgatitjeve të trajnerit Ljubisa Tumbakovic për ndeshjen me Kosovën, shkruan Gazeta Express.

Jankovic është i vetëdijshëm se Kosova nuk është e panjohur më, edhe pse një ekip i ri kombëtar në hartën evropiane.

“Ne e kemi analizuar rivalin e radhës dhe jemi të vetëdijshëm për cilësitë e tij. I kemi vlerësuar gjërat nga disa kënde dhe mund ta shohim se ky është ekip serioz. Këtë e ka dëshmuar po ashtu në Ligën e Kombeve, ama është edhe ekip i ri siç e ka treguar në kualifikime për Kampionatin Evropian”, tha Jankovic.

“Fakti se lojtarët kosovarë janë të rinj mund të jetë përparësi për ne. Do të përpiqemi t’i shfrytëzojnë të gjitha gabimet e tyre, por edhe të mos biem në kurth si me Bullgarinë”, shtoi ai.

“Dardanët” do të udhëtojnë drejt Podgoricës të premten për përballjen e dytë në kualifikime për Kampionatin Evropian 2020 ndaj Malit të Zi, para se ta vizitojnë Sofjen vetëm tri ditë më vonë për t’u përballur me Bullgarinë.

Grupit A i prin Anglia me 6 pikë, e ndjekur nga Bullgaria me 2 dhe Mali i Zi dhe Kosova me nga 1 dhe Republika e Çekisë me 0.

Kosova dhe Çekia e kanë zhvilluar nga një ndeshje më pak se rivalët e tyre në grup, megjithatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat