Rrahmani: Ende nuk ndihem 100% por do të bëj gjithçka për të luajtur

Futboll

Rrahmani: Ende nuk ndihem 100% por do të bëj gjithçka për të luajtur

Më: 4 qershor 2019 Në ora: 18:51
Amir Rrahmani

Amir Rrahmani e ka pranuar se ende nuk ndihet 100 për qind i rikuperuar nga dëmtimi që e pësoi javë më parë me klubin e tij Dinamo Zagreb në Kroaci dhe theksoi se do të vendosë bashkë me stafin mjekësore të Kombëtares nëse do të luajë ndaj Malit të Zi të premten.

Qendërmbrojtësi Rrahmani u detyrua ta braktisë ndeshjen finale të Kupës së Kroacisë të mërkurën e kaluar, të cilën e humbi skuadra e tij Dinamo Zagreb ndaj Rjekës, për shkak të një dëmtimi në gju para dy jave, raporton Gazeta Express.

Të martën pasdite në një konferencë për media, 25-vjeçari tha se është duke u përmirësuar dhe se do të bëjë gjithçka për t’i ndihmuar Kosovës ndaj Malit të Zi në ndeshjen e dytë të Grupit A kualifikues të verdhekaltërve për Kampionatin Evropian 2020.

“Po është e vërtetë, e kam lënduar (gjurin) në finale të Kupës (së Kroacisë) para rreth 12 ditës. Kam menduar që ka qenë i rëndë lëndimi, por lëndimi është duke u përmirësuar me kalimin e çdo ditë. Nuk ndihem 100 për qind. Por ta shoh deri në ditën e ndeshjes. Do ta vendosim me trajnerin dhe stafin”, tha Rrahmani të martën në konferencë për media në Prishtinë.

Kosova do ta vizitojë Podgoricën të premten për t’u përballur me Malin e Zi në ndeshjen e dytë të Grupit A kualifikues të kombëtares verdhekaltër për Kampionatin Evropian 2020.

“Dardanët” do të përballen me shumë mungesa, veçanërisht në mesfushë, ku mungon boshti i saj, Valon Berisha, Hekuran Kryeziu dhe Herolind Shala, por Rrahmani beson se Kosova gjithmonë ia ka dalë t’i mbulojë mungesat për shkak se ka fond të gjerë të futbollistëve.

“Ne jemi mësuar të luajmë me mungesa. Jemi mësuar të luajmë kështu. Ne kemi shumë futbollistë dhe secili mund ta zëvendësoj secilin”, shtoi ai.

Kosova do të udhëtojë drejt Sofjes për t’i ballafaquar me Bullgarinë në ndeshjen e dytë kualifikuese të muajit qershor. /Gazeta Express/   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat