Vojvoda: Në Mal të Zi për tri pikë

Futboll

Vojvoda: Në Mal të Zi për tri pikë

Më: 4 qershor 2019 Në ora: 19:26
Mergim Vojvoda

Mërgim Vojvoda ka thënë se Kosovës nuk i intereson se në çfarë pozite renditen në FIFA kundërshtarët e saj, sepse synimi i verdhekaltërve është gjithmonë të futen në ndeshje për të fituar, para ndeshjes kualifikuese për Kampionat Evropian kundër Malit të Zi të premten.

Kosova do ta vizitojë Podgoricën të premten për ndeshjen e dytë të Grupit A kualifikues për Kampionat Evropian të “Dardanëve”.

I pyetur rreth dallimit mes Kosovës dhe Malit të Zi për shkak të dallimit të madh në renditjen e FIFA-s – me malazezët që gjenden në pozitën e 44-të, shumë më mirë se verdhekaltrit që renditen në pozitën e 131-të – mbrojtësi i djathtë Standard de Liege tha se kjo nuk i intereson Kosovës.

“Nuk duhet ta shikojmë renditjen por të luajmë për t’i marrë tri pikët. Njëjtë vlen edhe kundër Anglisë që është brenda top 10-shës, duhet të luajmë pa frikë”, tha Vojvoda të martën në një konferencë për media në Prishtinë.

Ndeshja në Podgoricë do të zhvillohet pa tifozë, për shkak se Mali i Zi u pezullua nga UEFA për thirrje raciste të tifozëve të saj ndaj futbollistëve të Anglisë. Vojvoda mendon se fakti se skuadra vendase nuk do ta ketë përkrahje e tifozëve të vet mund t’i ndihmojë Kosovës.

“Futbollistët kanë qejf të luajnë shikues, por për neve mund të jetë pozitive sepse vendasi luan pa shikues për të cilët ka nevojë”, shtoi ai.

Kosova do të udhëtojë drejt Sofjes për t’i ballafaquar me Bullgarinë në ndeshjen e dytë kualifikuese të muajit qershor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat