Berisha: Me Islandën marrim rezultat pozitiv

Futboll

Berisha: Me Islandën marrim rezultat pozitiv

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 14:34
Etrit Berisha

Portieri i Kombëtares, Etrit Berisha doli sot në një konferencë për shtyp për të folur për ndeshjen me Islandën.

“Gardiani” i Atalantës theksoi se një rezultat i mirë me islandezët, mban në lojë kuqezinjtë për kualifikimin.

“Mund të them se atmosfera në Kombëtare është e mirë. Kemi një trajner me eksperiencë të madhe dhe është munduar ta bëjë ekipin entuziast. Tani për tani, jemi të lumtur, pasi po kalojmë mirë si në stërvitje dhe jashtë”.

“Nuk duhet të kemi presion para Islandës. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Një rezultat i mirë do të hapte shpresat për kualifikim. Jemi një grup ku nuk ka shumë diferenca”, tha ai.

“Luajmë ndaj një kundërshtari direkt për kualifikim, çka do të thotë shumë për moralin dhe vetëbesimin e ekipit. Do të mundohemi ta përgatisim sa më mirë këtë ndeshje dhe të shohim. I kemi cilësitë e duhura për të marrë një rezultat pozitiv. Mendoj që Islanda, përveç lojës në ajër, ka dhe cilësi të tjera. Gjithsesi, jemi në këtë periudhë ku e kemi në konsideratë këtë gjë”, u shpreh portieri Berisha.

Për mbrojtjen Berisha tha se kemi shumë lojtarë që mund të bëjnë mirë në këtë repart.

“Kemi lojtarë me eksperiencë dhe lojtarë që luajnë në kampionate të rëndësishme. Mund të them që jemi të konsoliduar në këtë repart. Diferencën e kanë bërë gabimet tona. Besoj se do t’i eliminojmë këto gabime dhe do të kemi mundësi për rezultat pozitiv. Nëse dalim mirë nga kjo ndeshje, do të kemi vetëbesim dhe në ato që vijojnë”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat