Vlera e Rashicës rritet për 185.7 për qind

Futboll

Vlera e Rashicës rritet për 185.7 për qind

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 15:06
Milot Rashica

Pas paraqitjeve të mira në sezonin 2018/19 të Bundesligës me Werder Bremenin si dhe me Kosovën, Milot Rashicës i është rritur vlera për 185.7 për qind.

Uebsajti i famshëm sportiv, Transfermarkt, tani e vlerëson Rashicën me 20 milionë euro, ndërsa më 6 mars të këtij viti e kishte vlerësuar vetëm me 7 milionë euro.

Për herë të parë, Transfermarkt e vlerësoi Rashicën me 700 mijë euro, më 11 nëntor të vitit 2015, sa kosovari ishte ende pjesë e Vitesse. Nëse e llogaritim prej kësaj vlere te ajo që Rashica e ka sot, atëherë vlera e tij është rritur 2,757 për qind.

Kosovari i bëri gjithsej 26 paraqitje këtë sezon në Bundesligë, prej të cilave 19 herë ishte në formacionin e parë, ndërsa shtatë herë të tjera u inkuadrua në lojë nga stoli. Ai i luajti mesatarisht 59 minuta për ndeshje, ndërsa SofaScore e vlerësoi me notë mesatare 7.12 për paraqitjet e këtij sezoni.

Ai i shënoi nëntë gola, apo mesatarisht një gol për çdo 173 minuta lojë ose 0.4 gola për ndeshje. Rashica i bëri mesatarisht 1.8 goditje brenda kuadratit të portës për ndeshje, ndërsa gjatë gjithë sezonit i humbi vetëm katër raste të mira.

Gjatë gjithë ndeshje të sezonit, ai u ndëshkua me vetëm një karton të verdhë, ndërsa lojtarët ia bënin të paktën një ndërhyrje të parregullt për çdo ndeshje.

Rashica kontribuoi te skuadra e tij edhe me pesë asiste për bashkëlojtarët. Ai ishte i saktë në pasime 69 për qind mesatarisht, ndërsa i krijoi edhe shtatë raste shumë të mira për bashkëlojtarët e tij, të cilët megjithatë s’arritën t’i konkretizojnë ato në gola.

Sa i përket fazës së mbrojtjes, trajneri Florian Kohfeldt kishte bërë të ditur se në fillim nuk e aktivizonte atë në ndeshje për shkak se Rashica nuk ishte shumë i mirë në mbrojtje, megjithatë sipas SofaScore, ai nuk e bëri asnjë gabim që i kushtoi Bremenit me gol gjatë gjithë sezonit.

Milot Rashica e kishte shfrytëzuar llogarinë e tij në rrjetin social Instagram për ta komentuar këtë sezon të tij, në të cilën shkëlqeu veçanërisht në ndeshjet e zhvilluara gjatë vitit 2019.

“Ta mbyllësh sezonin me fitore është gjithmonë kënaqësi . Ishte një periudhë intensive dhe disa ndeshje të mrekullueshme. Megjithatë arritja deri në gjysmëfinale të Kupës dhe humbja e Evropës për vetëm një pikë më bën ta kujtoj këtë sezon me njërin sy të qeshur e me njërin të përlotur”, shkruan Rashica në llogarinë e tij në Instagram.

“Faleminderit të gjithë familjes #Werder për të gjithë mbështetjen e juaj të pabesueshme. Ju ishit të mrekullueshëm”.

Image
Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat