Avokatja e gruas që e akuzon Ronaldon për përdhunim: Nuk i kemi tërhequr akuzat

Futboll

Avokatja e gruas që e akuzon Ronaldon për përdhunim: Nuk i kemi tërhequr akuzat

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 14:23
Cristiano Ronaldo

Bloomberg raportoi dje se Kathryn Mayorga i ka tërhequr akuzat për përdhunim ndaj Cristiano Ronaldos, megjithatë avokatja e saj e ka mohuar këtë lajm, duke thënë vetëm se procesi ka kaluar nga Gjykata Shtetërore në atë Federale.

Dje u raportua se janë tërhequr akuzat për përdhunim ndaj yllit të Juventusit, Cristiano Ronaldos, pasi muajin e kaluar Gjykata Shtetërore e Las Vegasit e kishte marrë një njoftim për tërheqje vullnetare të akuzave.

Megjithatë, avokatja e Mayorgas, Larissa Drohobyczer, i ka mohuar këto lajme në një intervistë për ESPN, duke thënë vetëm se procesi gjyqësore ka kaluar nga Gjykata Shtetërore në atë Federale.

“Akuzat nuk janë tërhequr. Të njëjtat akuza që ishin në Gjykatën Shtetërore tani janë në Gjykatën Federale për shkak se kjo gjykatë e bën më të lehtë procesin gjyqësor kur kemi të bëjmë me persona të huaj”, ka thënë Drohobyczer.

Para tetë muajve, Kathryn Mayorga e akuzoi Cristiano Ronaldon se e kishte përdhunuar në orët e hershme të 13 qershorit të vitit 2009, në Las Vegas, pasi ishin takuar në një klub nate.

Mayorga, atëherë 25-vjeçare, e kishte raportuar sulmin në policinë e Las Vegasit. Ajo nuk e kishte identifikuar Ronaldon me emër sepse kishte thënë se ai ishte figurë publike dhe i frikësohej portugezit. Ajo ishte dërguar në spital dhe ishte hetuar nëse ka shenja përdhunimi.

Gjatë muajve në vazhdim, sipas avokatëve të Mayorgas, hetues privat të Ronaldos e kishte gjetur amerikanen dhe i kishin mbajtur shënim të gjitha lëvizjet e saj. Ajo gjithashtu pretendon se avokatët e Ronaldos e kishin detyruar atë të nënshkruante një dokument.

Në atë dokument, Mayorga premtoi se nuk do të fliste kurrë publikisht për incidentin dhe në shkëmbim i mori 375 mijë dollarë. Këtë dokument u nënshkrua edhe nga Mayorga edhe nga Ronaldo në janar të vitit 2010.

Në vitin 2017, gazeta gjermane Der Spiegel e publikoi një artikull ku Ronaldo akuzohej për përdhunim, mirëpo emri i Mayorgas ishte lënë anonim. Shumë prej informatave të gazetës ishin siguruar nga dokumente dhe mesazhe që ishin siguruar nga Football Leaks.

Agjenti i Ronaldos i mohoi menjëherë këto lajme, mirëpo asnjëherë nuk e paditi as Der Spiegelin e as Mayorgan për shpifje.

Në shtator të vitit 2018, Der Spiegel e publikoi edhe një tjetër artikull, këtë herë duke e treguar rrëfimin e plotë të Mayogas, e cila e zbuloi edhe identitetin e vet. Në atë artikull, Maryoga shpjegon në detaje se si Ronaldo e kishte sulmuar dhe çfarë kishte ndodhur me të në vitet në vijim.

Der Spiegel i zbuloi edhe disa dokumente të këtij rasti, të cilat përfshinin deklarata të dhëna nga Ronaldo. Në këto dokumente, portugezi e kishte pranuar se kishte qenë i ashpër me Mayorgan dhe se ajo i kishte thënë jo disa herë, para se ta dhunonte.

Avokatët e Ronaldos, por edhe vetë portugezi, e kanë mohuar këtë lajm disa herë. Megjithatë, për shkak të dokumenteve të besueshme të publikuara, policia e Las Vegasit i kishte rihapur hetimet për këtë rast.

Mayorga e kishte paditur yllin e Juventusit jo vetëm për përdhunim, por edhe për presionin që ia kishte bërë më vonë dhe përcjelljen përmes hetuesve privat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat