Sermaxhaj: Përparësi e Kosovës është aftësia individuale e lojtarëve

Futboll

Sermaxhaj: Përparësi e Kosovës është aftësia individuale e lojtarëve

Nga: Kemajl Goca Më: 6 qershor 2019 Në ora: 19:07
Sermaxhaj: Përparësi e Kosovës është aftësia individuale e lojtarëve

Të gjithë janë në pritje të përballjes Mali i Zi - Kosova, e vlefshme për kualifikueset në Kampionatin Evropian 2020.  Mali i Zi ka përparësinë e fushës, kurse Kosova ka vullnetin dhe dëshirën e madhe për rezultat pozitiv, ta vazhdojnë serinë e pamposhtmërisë. Analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj, ka deklaruar për gazetën kombëtare “Bota sot”, se çdo pikë për Kosovën është e mirëseardhur në kuadër të grupit A. Ai beson te djelmoshat tanë se do të arrijnë më të mirën e mundshme në Podgoricë, në sfidën që luhet nesër në orën 20.45.

“Presim vazhdimësi të lojës së mirë të Kosovës dhe rezultat pozitiv. Përparësi kemi ngase kundërshtarët janë në presion po ashtu luajnë pa tifoz. Gjithashtu përparësi e jona është aftësia individuale e lojtarëve tanë, të cilët janë dëshmuar në ndeshjet e fundit!”, tha Sermaxhaj.  Një përparësi e mirë për Kosovën është se atmosfera është fantastike mes futbollistëve. “Besoj se janë përgatitur mirë këto ditë sa kanë qëndruar së bashku, edhe atmosfera besoj është fantastike dhe gjithçka është në favor që Kosova të kthehet nga atje me rezultat pozitiv”, tha ish reprezentuesi i Kosovës.

A mendoni se një pikë është sikur fitore? “Jo, nuk mendoj ashtu, duhet të synohet fitorja - trepikëshi sepse Mali i Zi nuk janë nivel më lart se ne, mund të jemi aty afër por duhet të shfrytëzojmë mundësitë që na ofron loja, fundja edhe barazimi është i mirë por ne duhet të krijojmë mentalitet fituesi në secilën ndeshje, të jemi të rrezikshëm për çdo kundërshtar sepse tashmë kemi krijuar identitetin e lojës sonë dhe atë duhet të plasojmë në secilën ndeshje”, tha Sermaxhaj.  

Ish futbollisti i mirënjohur mendon se Kosova duhet të luajë me shumë siguri në çdo repart dhe të jetë e kujdesshme, sepse nga gabimi më i vogël edhe mund të pësosh nga rivali. “Kundërshtari është vendas, kërkojnë edhe ata fitoren ndaj nesh. Janë ndeshjet e para që secili kërkon të bëj shkëputjen në renditje, por ne duhet të kemi kujdes, të jemi të bashkuar e të disiplinuar taktikisht dhe besoj se do të ndahemi nga kjo ndeshje të kënaqur”, përfundoi Sermaxhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat