Selektori i Kosovës: Një ndeshje shumë e vështirë

Futboll

Selektori i Kosovës: Një ndeshje shumë e vështirë

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 11:04
Selektori i Kosovës: Një ndeshje shumë e vështirë

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore para përballjes së sotme (20.45) me Malin e Zi, e cila zhvillohet në stadiumin e qytetit në Podgoricë pa praninë e tifozëve. Dardanët e prirë nga Bernard Challandes edhe në stërvitjen e fundit kanë qenë me disponim shumë të mirë, teksa e presin me entuziazëm ndeshjen me synimin për ta vazhduar ciklin e rezultateve pozitive.  Challandes, ka theksuar se pret një ndeshje të vështirë, duke pasur parasysh përvojën që ka kombëtarja malazeze, por edhe rangimin që ajo ka në renditjen e FIFA-s. “Si Kosovë ne jemi të ranguar në vendin e 127 të FIFA-s, kurse Mali i Zi në pozitën e 51-të dhe kjo ndoshta është mënyra më e mirë që e tregon dallimin ndërmjet këtyre dy kombëtareve. Për neve do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por edhe mjaft interesante. Fakti që kjo ndeshje do të luhet pa tifozë dhe kjo nuk është gjë e mirë për futbollin sepse futbolli është spektakël dhe mungesa e tifozëve do të thotë se nuk do të jetë lehtë as për ne dhe as për Malin e Zi. Ata kanë një ekip kompakt, me organizim të mirë dhe me përvojë të madhe. Është shumë i rëndësishëm fakti që Mali i Zi ka luajtur shumë ndeshje, madje në kualifikimet e Botërorit të kaluar ka arkëtuar 16 pikë. Kjo tregon forcën e kësaj kombëtareje”, ka theksuar Challandes.  Ai ka thënë se mungesa e tre lojtarëve titullarë Valon Berishës, Herolind Shalës dhe Hekuran Kryeziut ia ka vështirësuar dukshëm punët, por ka thënë se si trajner duhet të flasë më shumë për futbollistët që ka në dispozicion dhe të gjejë zëvendësimet adekuate për këto mungesa. “Në raste të tilla trajnerët i kanë dy opsione: të vajtojnë për mungesat që kanë në ekip ose të kenë qasje pozitive dhe t’i zëvendësojnë ata që mungojnë dhe të përqendrohen te puna me ata që kanë në dispozicion dhe t’ju besojnë atyre. Unë jam prej atyre trajnerëve që e zgjedh opsionin e dytë”, ka shtuar Challandes.
Ndërkaq, sulmuesi Vedat Muriqi u shpreh optimist se Kosova do të arrijë fitore. “Ne si ekip kemi besim të madh në cilësitë tona. Kemi lojtarë me nivel të lartë të kualitetit, prandaj jem optimistë se do të korrim fitore. Pa dyshim që nesër do të bëjmë lojë të mirë dhe do ta japim maksimumin tonë. Normalisht e respektojmë kundërshtarin, por besoj në forcën e ekipit tonë”, ka thënë Muriqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat