Tatuazhet, flokët, sjellja?

Futboll

Tatuazhet, flokët, sjellja?

Më: 11 qershor 2019 Në ora: 13:39
Pogba

Mesfushori i Manchester United, Paul Pogba, është i bindur se "gjykohet ndryshe" nga futbollistët e tjerë dhe se nuk ka lidhje jeta e tij jashtë fushe, tatuazhet apo gjuha e trupit gjatë ndeshjeve.

26-vjeçari është kritikuar shpesh gjatë periudhës te Manchester United, që pas kthimit në 2016 për një shifër rekord për kohën, 105 milionë euro.

Gjithsesi, Pogba doli kampion bote në 2018 duke shkëlqyer me Francën, ndaj është i bindur se problemi nuk qëndron te mënyra si luan.

"Unë luaj gjithnjë në të njëjtën mënyrë dhe falë Zotit fitova Kupën e Botës duke luajtur ashtu", tha Pogba në një bisedë me The Times.

"Prerja e flokëve, tatuazhet, gjuha e trupit, këto janë thjesht justifikime, fjalë boshe. Unë kam luajtur njësoj që kur isha fëmijë. Nuk është problem kur fitojmë, por plas debati për lojën time vetëm kur humbasim".

Pogba shënoi 13 gola në 35 ndeshje kampionati në sezonin e sapombyllur, por të shumtë janë ata që e akuzojnë se prish atmosferën brenda skuadrës dhe se klubi duhet ta shesë këtë verë.

Pogba i sheh këto sulme vetëm te shifra e transferimit të tij në 2016: "Për shkak të atij transferimi u bëra lojtar tjetër. Ishte transferta më e shtrenjtë e historisë në atë kohë, ndaj të gjithë nisën të më shihnin dhe të më gjykonin ndryshe.

"Për shkak të atij çmimi, të gjithë presin më shumë prej meje. Një ndeshje e mirë bëhet normale, një super ndeshje konsiderohet thjesht e mirë. 

"Ishte një shifër e jashtëzakonshme, mendoj se më sulmojnë edhe për faktin se jam mesfushor, ndërsa zakonisht janë sulmuesit në qendër të vëmendjes, sepse shënojnë shumë gola. Ishte një ndryshim i madh, nuk e prisja që etiketa e një çmimi do të përbënte një rëndësi kaq të madhe për njerëzit.

"Ndoshta njerëzit kujtojnë se i mora unë ato para, por nuk i kam unë. Nuk e di arsyen e kritikave, do doja ta dija, që të jepja edhe përgjigjen".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat