Prekazi: Nuk bën as mu gëzuar shumë as me vajtuar shumë 

Futboll

Prekazi: Nuk bën as mu gëzuar shumë as me vajtuar shumë 

Nga: Kemajl Goca Më: 12 qershor 2019 Në ora: 18:04
Prekazi: Nuk bën as mu gëzuar shumë as me vajtuar shumë 

Dy ndeshje, dy fitore, 7 gola të shënuar, një të pësuar dhe fituan pikë maksimale, gjithsej 6, duke udhëhequr grupin 3 të kualifikueseve për Kampionatin Evropian U-21 në futboll. Kjo është mrekullia e kombëtares së Kosovës U-21 që drejtohet nga përzgjedhësi Rafet Prekazi, ish futbollist i gjeneratës së artë Trepçës nga Mitrovica dhe Prishtinës në vitet e 80-ta. Prekazi po ashtu ka qenë prej lojtarëve më të ri të asaj kohe pikërisht në vitin 1978 kur ka luajtur në fanellën e Trepçës në finalen e Kupës Marshall Tito, por që patën humbur me 1:0 pas 120 minutave nga skuadra kroate Rijeka.

Prekazi me Kosovën po shkëlqejnë me lojëra dhe rezultate, dy fitore rresht, së pari si mysafirë e demoluan me 4:0 Andorrën dhe të martën mbrëma i dhanë leksion me 3:1 Turqisë U-21 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kosova është në grup me Austrinë, Anglinë, Shqipërinë, Turqinë e Andorrën. Grup shumë i fortë, megjithatë Kosova në dy paraqitjet e para ka qenë e përsosur dhe më së miri e dëshmojnë edhe rezultatet. Përzgjedhësi iu është mirënjohës edhe popullit që po i jep përkrahje të madhe, veçmas në stadiumin “Fadil Vokrri” ku ishin të pranishëm më së 8 mijë shikues, ku ishte edhe një motiv shtesë.

Prekazi ka bërë një punë të madhe, e cila po jep fryte. Nuk ka si më mirë se kur arrin dy fitore rresht, e ajo që i lartëson edhe më shumë është fitorja ndaj Turqisë. Të arrish rezultate fantastike me një kombëtare shumë të re e të papërvojë, është sukses i jashtëzakonshëm kur kihet parasysh se FFK-ja nuk ka më shumë se tre vjet që u pranua në instancat më larta në UEFA e FIFA. Megjithatë, Prekazi, një emër i madh i futbollit, kërkon që të jenë me këmbë në tokë, të punojnë me intensitet të shtuar sepse ka ende për t’u komponuar ekipi, sepse është një ndërrim gjenerate nga ajo U-21 që kishin në të kaluarën.

“Çdo trajner e kërkon më të mirën, kemi fituar 6 pikë. Nuk i kemi njohur kundërshtarët, por mentaliteti ynë dhe angazhimi sollën rezultate, prandaj jam krenar me përzgjedhjen që kam bërë, ka akoma lojtar që kanë mu kyq. Gjashtë pikë janë marr me lojë dhe janë shumë të merituara, jo me fat. Më gëzon fakti se Kosova po ngritët, kështu që jam i lumtur për këta djem, për Dardanët dhe gjithmonë me popullin”, thotë Prekazi për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Ai e pranon se kur ndërrohet gjenerata është mjaft vështirë: “Është vështirë kur ndërrohet gjenerata, megjithatë kemi lojtar inteligjent e me kualitet dhe duhet ende për t’u komponuar ekipi. Ka ende kohë, duhet punë”.  Si gjithmonë është i matur edhe në synime.

“Nuk deklaroj asnjëherë për rezultate e për synime,  por për me pasur sukses duhet me punuar dhe kësaj rruge po shkojmë”. A është grupi shumë i fortë? “E vërtet se grupi është i fortë. Ndërsa ne nuk kemi dy vjet që jemi pranuar në arenën ndërkombëtare dhe duhet të vazhdojmë të punojmë. Nuk bën as mu gëzuar shumë as me vajtuar shumë, duhet mu përmirësuar gjithnjë e më shumë, kjo është motoja ime”, theksoi ai. Më tutje shprehet se iu është falënderues popullit për përkrahjen e madhe që po i japin kombëtares.

Image

“Ju falënderohem shumë popullit dhe të gjithë ata që ishin të pranishëm në stadium, jashtëzakonisht jam i kënaqur për përkrahjen e madhe të tyre. Duhet vetëm me punuar dhe mu ngritur si ekip. Kam deklaruar dhe po e përsëris, nuk ka me shkuar shumë kohë Kosova ka me qenë një mini-Kroaci. Nuk kemi dy vjet nga pranimi në instancat më të larta ndërkombëtare, prandaj po tregojmë angazhim e kualitet, por nuk kemi kohë mu lavdëruar duhet shumë punë”, përfundoi Prekazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat