Gazeta zvicerane pyet lexuesit për Kosovën

Futboll

Gazeta zvicerane pyet lexuesit për Kosovën

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 14:29
Gazeta zvicerane pyet lexuesit për Kosovën

Gazeta e njohur zvicerane, Blick, ka pyetur lexuesit e saj nëse mendojnë se Kosova do të kualifikohet në Kampionatin Evropian.

Në Zvicër i është kushtuar vëmendje e madhe Bernard Challandesit, trajnerit zviceran që po thyen rekorde me Kosovën, shkruan Insporti. “Dardanët” kanë ecuri të 14 ndeshjeve pa humbje – që prej tetorit të vitit 2017 – derisa meritat më të mëdha sigurisht se i takojnë trajnerit 67-vjeçar, që e ka drejtuar Kosovën në 13 prej këtyre ndeshjeve.

Që nga marsi i vitit 2018, Challandesi e ka udhëhequr Kosovën në ecuri mbreslënëse të 13 ndeshjeve pa humbej – 8 fitore e 5 barazime.

Gazeta Blick pas fitores ndaj Bullgarisë publikoi një artikull ku shkruhej se Challandesit në Kosovë duhet t’i ndërtohet një statujë.

Kurse, tash po i njëjti medium i ka pyetur lexuesit se a mendojnë që Kosova do ta arrijë ta shkruajë historinë, duke u kualifikuar në Evropianin ‘Euro 2020’.

Dy orë pas publikimit të anketës në faqen zyrtare të ‘Blick’ në Facebook, më shumë se 2 mijë lexues janë përgjigjur pozitivisht – se mendojnë që Kosova do të arrijë kualifikimin në Evropian.

Ndërkaq me ‘jo’ janë përgjigjur vetëm rreth 100 lexues.

Kosova është e treta në grupin e saj të kualifikimeve, pas Anglisë e Çekisë, që kanë vetëm një pikë më shumë (6, kundrejt 5 pikë të Kosovës).

Kombëtarja e Kosovës me Challandesin arriti që ta fitojë grupin  e saj në Nations League në kuadër të Ligës D.

“Dardanët” e mbyllën fazën e grupeve me 14 pikë gjithsej, pesë më shumë se Azerbajxhani i vendit të dytë, dhe duke arritur rekord të golave të shënuar, 15, më shumë se çdo kombëtare tjetër në Ligën e Kombeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat