Nëse Kolumbia nuk fiton Kupën e Amerikës

Futboll

Nëse Kolumbia nuk fiton Kupën e Amerikës

Më: 14 qershor 2019 Në ora: 10:44
Nëse Kolumbia nuk fiton Kupën e Amerikës

I njohur si “akrepi” për atë pritje spektakolare që sot shumë njerëz e mbajnë mend dhe videot e tij qarkullojnë ende në internet, Rene Higuita mbetet një legjendë tek Kolumbia.

Me 68 ndeshje në kombëtare dhe atë veprim spektakolar në vitin 1995 ndaj Anglisë në një miqësore, ish-portieri vijon të mbështesë kombëtaren e tij dhe beson se ky është viti i duhur për ta për të fituar Copa America, që do të zhvillohet në Brazil.

Klasi i James Rodriguez dhe i Falcao, forca e Zapata dhe shpejtësia e Cuadrado e Muriel, për Higuitan asgjë nuk i mungon kësaj Kolumbie.

“Nëse Kolumbia nuk fiton Copa America, unë do të pres flokët”, deklaroi Higuita në një intervistë, duke vënë një bast të rrezikshëm, pasi në favor të tij është vetëm një rezultat dhe nuk është i lehtë.

“Nuk do të jetë e lehtë, por lojtarët dhe skuadra kanë eksperience të madhe ndërkombëtare dhe kanë krijuar një grup të madh”, analizoi ai. Por, a do të jetë e mjaftueshme kaq gjë, që ai të shpëtojë flokët, të cilat nuk i ka prerë kurrë deri më sot?!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat