Skuadrat shqiptare mësojnë kundërshtarët

Futboll

Skuadrat shqiptare mësojnë kundërshtarët

Më: 18 qershor 2019 Në ora: 15:27
Skuadrat shqiptare mësojnë kundërshtarët

Kukësi, Teuta dhe Laçi mbajnë “frymën” dhe luten për fat në shortin që do të hidhet sot në orën 15:30 në Nion të Zvicrës, aty ku UEFA do të përcaktojë çiftet e turit të parë të Ligës së Europës. Ekipet shqiptare do të njohin kundërshtarët, teksa dje UEFA ka bërë edhe ndarjen e grupeve, nga ku në 9 të tilla, janë diferencuar skuadrat e cilësuara si favorite dhe ato jofavorite.

Kjo ndarje bëhet në bazë të koeficientit që kanë klubet në renditjen e UEFA-s. Pjesëmarrja konstante në Kupat e Europës i ka dhënë luksin Kukësit që të rrisë koeficientin dhe tashmë pret i qetë shortin, pasi nga 5 kundërshtarë të mundshëm, duket se ai që tremb është vetëm ekipi hungarez, Debreceni. Rivalët e tjerë të mundshëm të Kukësit janë Milsami Orhei (Moldavi), NK Mura (Slloveni), Banants (Armeni) dhe Jeunise Esh (Luksemburg).

Teuta dhe Laçi e nisin mbarë pa u hedhur ende shorti. Mund të thuhet kështu, pasi në ndarjen e grupeve që UEFA ka bërë, asnjë prej skuadrave shqiptare nuk rrezikon të përballet me emra “big” si Steaua e Bukureshtit apo Legia e Varshavës.

Në ndryshim nga Kukësi, klubet e Teutës dhe Laçit janë në vazon e skuadrave që cilësohen jofavorite. Durrsakët duhet të “peshkojnë” një mes Apollon Limasolit (Qipro), Kairat Almatit (Kazakistan), Ventspilsit (Letoni), Krakovës (Poloni) dhe Dinamo Tbilisi (Gjeorgji).

Në Durrës luten që kundërshtar mos të jetë sërish Kairati, që tri vite më parë eliminoi Teutën nga Liga e Europës. Rivali më i pranueshëm për Teutën do të ishin ekipe si Ventspils apo Dinamo Tbilisi, me letonezët që nxorën me turp nga gara Luftëtarin.

Nga ana tjetër, Laçi është vendosur në një grup, nga ku pret të mësojë rivalin mes Hapoel Ber-Sheva (Izrael), AEK Larnaka (Qipro), Domzhale (Slloveni), Pjunik (Armeni), Sabail (Azerbajxhan), Buduçnost Podgorica (Mal i Zi). Në letër ekipet sllovene, malazeze, por pse jo edhe qipriote mund të cilësohen pozitive nëse shortohet, ndërsa Hapoel Ber-Sheva duket rivali më i fortë i mundshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat