Ramadani: Shpresoj të kalojmë ekipin e Lincolnit me ose pa vështirësi 

Futboll

Ramadani: Shpresoj të kalojmë ekipin e Lincolnit me ose pa vështirësi 

Nga: Kemajl Goca Më: 19 qershor 2019 Në ora: 18:56
Zekirija Ramadani

Kampioni i ri dhe fituesi i Kupës së Kosovës, Feronikeli nga Drenasi, për disa ditë rresht zhvilloi përgatitjet jashtë Kosovës përkatësisht në Ohër të Maqedonisë Veriore.

“Nikli” mbushi bateritë për sfidën parakualifikuese të gjysmëfinales së play-off-it të Champions League në futboll, kundër Lincoln Red Imps nga Gjibraltari, e cila do të zhvillohet me 25 qershor (20.45) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kampioni i Kosovës është i përgatitur maksimalisht dhe janë favoritë në përballje me Lincoln Red Imps. Kryetrajneri i “Niklit”, Zekirija Ramadani, ka deklaruar për gazetën kombëtare “Bota sot”, se sot e patën edhe stërvitjen e fundit në Ohër dhe janë kthyer për në Drenas. Ai është i kënaqur me rrjedhën e përgatitjeve në Ohër dhe e ka pa formën e secilit lojtar para sfidës të së martës së ardhshme.

“Faza përgatitore ka qenë shumë e mirë, kishin kushte shumë të mira dhe temperaturë të volitshme për stërvitje, i vetmi problem ka qenë që nuk kishim asnjë kundërshtar për të bërë ndeshje kontrolluese, por kemi bërë ndeshje brenda grupit dhe jam i kënaqur me angazhimin, seriozitetin dhe disiplinën e futbollistëve”, tha Ramadani. Me 25 qershor do të luhet ndeshja parakualifikuese e gjysmëfinales së play-off-it, kundër Lincoln, a shpresoni se pa vështirë do të kaloni në finale dhe pastaj të kërkoni edhe kalimin në rrethin e parë eliminator të Champions League?

“Unë shpresoj të kalojmë ekipin e Lincolnit me ose pa vështirësi. Një gjë duhet ta dimë se ne si ekip jemi debutues në këtë garë, ekipi kundërshtar ka më tepër eksperiencë se ne. Por duke shpresuar në mbështetjen e fortë të tifozëve tanë dhe në një angazhim maksimal të futbollistëve shpresoj ta kalojmë këtë ekip”, përgjigjet Ramadani.  

Më tutje tha se kanë bërë lëvizjet e duhura sa i përket futbollistëve: “Për ndeshjet në Europë mendoj që kemi bërë lëvizjet e duhura dhe jemi të kompletuar”.

Ramadani me prejardhje nga Shkupi i Maqedonisë Veriore, në Kosovë po dëshmohet trajner jashtëzakonisht i suksesshëm, sepse brenda një kohe shumë të shkurtër dy herë ka fituar titullin e kampionit, së pari me Trepçën ’89, tani me Feronikelin.

Ai është optimist se me ‘Niklin’ do të shënojnë rezultate të mira në garat evropiane, por si gjithmonë është i matur në synimet! “Pa qenë optimist nuk vjen suksesi, mendoj që kemi kualitet për të qëndruar me gjatë në Champions, normal edhe me pak fat sportiv besoj në paraqitje dinjitoze në këto ndeshje që na presin”, përfundoi Ramadani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat