Kupa e Amerikës, Scaloni përgatit dy surpriza "italiane" për Paraguain - Bota Sot
Kupa e Amerikës, Scaloni përgatit dy surpriza "italiane" për Paraguain

Futboll

Kupa e Amerikës, Scaloni përgatit dy surpriza "italiane" për Paraguain

Më: 19 qershor 2019 Në ora: 23:39
Scaloni

Situata në shtëpinë e Argjentinës nuk është e mirë dhe duhet bërë një shpikje. Këtë e di mirë Scaloni, i kritikuar ashpër nga media pas humbjes së pësuar kundër Kolumbisë në ndeshjen e parë. Domosdoshmëria për të bërë ndryshime është dukur e qartë dhe trajneri argjentinas e di si dhe se ku duhet të ndërhyjë. 

Në bazë të zërave që qarkullojnë nga grumbullimi i Argjentinës dhe nga seancat e fundit stërvitore, lëvizjet e para kanë të bëjnë me lënien në stol të dy "senatorëve" dhe aktivizimin e dy "italianëve": kundër Paraguait, për ndeshjen vendimtare që do të luhet në orët e para të mëngjesit të së enjtes, do të mbeten jashtë formacionit Di Maria dhe Aguero, të cilët do të zëvendësohen nga De Paul dhe Lautaro.  

Risitë e tjera, me përjashtim të ndryshimeve në momentin e fundit, janë Casco dhe Pereyra. Gjithsesi, mesfushori i Udinese-s dhe sulmuesi i Inter janë ndryshimet e mëdha të trajnerit, i cili mësohet të ketë marrë edhe bekimin e Messi-t.

De Paul është njeriu i momentit në shtëpinë "albiceleste". Shtypi argjentinas e konsideron si pasardhësin e Lavezzi-t, por jo në aspektin teknik ose taktik. Të mirinformuarit besojnë se De Paul ka mbushur boshllëkun e krijuar në dhomat e zhveshjes nga mungesa e ish-sulmuesit të Napoli-t.  

Gjithmonë i qeshur dhe i gatshëm për të bërë shaka, ai mban lart moralin e grupit dhe largon stresin. Përveç kësaj, në favorin e tij është edhe përshtatja në fushën e lojës me Messi-n: në tri ndeshjet e fundit, numri i topave të luajtur nga "Pleshti" pothuajse është dyfishuar pas futjes në fushë të De Paul. 

Me lojtarin e Udinese-s në fushë, ylli i Barcelona-s ndihet më i lirë dhe arrin të gjejë më shumë hapësira. Në mbrëmjen zhgënjyese kundër Kolumbisë, momenti më i mirë i Argjentinës ka rastisur pikërisht me futjen në fushë të De Paul pas pjesës së parë. Scaloni e ka vënë re këtë dhe ka vendosur t'i besojë ish-lojtarit të Racing në dëm të Di Maria-s, lojtari më i kritikuar (bashkë me Saravia-n) pas humbjes së të shtunës. 

Është domethënëse edhe  zgjedhja për t'i besuar Lautaro-s në vend të "Kun". Impenjimi dhe dëshira e madhe e treguar në stërvitje nga "Demi" kanë bindur Scaloni-n, i cili është akoma në kërkim të numrit 9 përfundimtar për ta aktivizuar në krah të Messi-t. Aspak i bindur nga Aguero, tekniku argjentinas do t'i besojë urisë së zikaltrit. Shtypi dhe tifozët në fakt, e konsiderojnë atë si partnerin më të mirë për "Pleshtin". 

Lautaro do të ketë detyrën që ta shfrytëzojë këtë mundësi për ta ndihmuar Argjentinën që të ngrejë kokën dhe të sigurojë një fanellë si titullar. Ai që duhet të vazhdojë të presë për momentin e tij është Dybala, i cili pritet ta nisë edhe këtë ndeshje nga stoli.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...