KE i FFK-së kërkon nga deputetët ta votojnë Ligjin për Sponsorizim

Futboll

KE i FFK-së kërkon nga deputetët ta votojnë Ligjin për Sponsorizim

Më: 20 qershor 2019 Në ora: 11:11
Agim Ademi

Në Kuvendin e Kosovës nuk u miratua ligji për sport, ndërsa sporti i Kosovës po futet edhe më shumë në krizë madje mund të shuhen edhe disa klube! 

Federata e Futbollit e Kosovës, me president Agim Ademi, ka reaguar në lidhje me mos miratimin e ligji për sport, duke kërkuar që sa më parë kjo gjë të ndodhë. 

Sporti ynë veçmas futbolli po shënon rezultate e suksese të lakmueshme, në fakt ka kthyer edhe buzëqeshjen e popullit.
“KE i FFK-së kërkon nga deputetët ta votojnë Ligjin për Sponsorizim në seancën e radhës.

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës kërkon nga Kuvendi i Kosovës që sa më parë në seancën e radhës të votojë Ligjin për Tatimin e të Ardhurave në Korporata, i cili është jetik për zhvillimin e sportit dhe në veçanti për futbollin. 

Mosmiratimi i këtij Ligji në seancën paraprake ka zhgënjyer tej mase komunitetin sportiv dhe njerëzit që për shumë dekada kanë qenë afër sportit, e të cilët nuk kanë kursyer asgjë për ta mbajtur gjallë aktivitetin e klubeve. 

Ne, si KE i FFK-së, i bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që në seancën e radhës të jenë në numër të mjaftueshëm dhe ta kalojnë këtë ligj, ngase kjo do të ishte përkrahja e tyre më e madhe për sportin në këtë periudhë. 

Në kohën kur sporti ynë po i radhit sukseset e njëpasnjëshme dhe kur futbolli është bërë ambasadori më i mirë i vendit në botë dhe sukseset e djemve tanë të Kombëtares po na bëjnë krenarë të gjithëve, është obligim i secilit prej nesh që të jemi të përgjegjshëm dhe të punojmë për ta përkrahur sa më shumë sportin. 

Miratimi i këtij ligji i hap rrugë zhvillimit të futbollit dhe klubeve tona dhe njëherësh ua mundëson dhe i josh kompanitë e shumta që t’i përkrahin klubet e futbollit për zhvillim edhe më të hovshëm, por krijon mundësi edhe për përmirësim të infrastrukturës. FFK falënderon të gjithë deputetët që po i japin mbështetje këtij ligji dhe shpreson se në seancën e radhës ky Ligj do të kalojë me shumicë votash.

Sportistët tanë po e bëjnë punën e tyre me krenari e përgjegjësi në çdo arenë, tani mbetet radha e deputetëve që të dëshmojnë se janë përkrahës të njëmendtë të zhvillimit të sportit, duke e votuar Ligjin në fjalë.
Bashkë, drejt sukseseve të mëdha!”, shkroi Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, Agim Ademi, president.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat