Rrëfehet Jose Mourinho: Ja armët e mia më të forta si trajner

Futboll

Rrëfehet Jose Mourinho: Ja armët e mia më të forta si trajner

Më: 25 qershor 2019 Në ora: 23:26
Jose Mourinho

Trajneri Jose Mourinho, në një intervistë në You Tube për “The Coaches Voice” (Zëri i Trajnerëve) ka folur për sekretet e tij. Portugezi ka që nga dhjetori i vitit të kaluar që është pa ekip, pas shkarkimit nga Manchester United. Mourinho ka deklaruar pak ditë më parë se e ardhmja mund ta shohë në stolin e një ekipi kombëtar dhe jo të një klubi. Gjithsesi, ja çfarë rrëfen për veten portugezi.

“Jam mjaft fleksibël dhe përshtatem kollaj. Shpesh këtë gjë e bëj edhe karshi ideve të mia të lojës, për t’u përshtatur me kulturën e vendit ku trajnoj. Tani për tani, jam i vetmi që kam fituar titullin kampion në Itali, Angli dhe Spanjë. Për ta bërë këtë gjë duhet fleksibilitet dhe përshtatje me realitetin e klubit ku punon dhe të kompeticionit ku luan”, tha Mourinho.

“Këto përvoja më kanë bërë më të ditur, ndaj dhe nuk ia mbyll derën një aventure në një vend të ri apo një kompeticioni të ri. Më pëlqen kjo ndjesi për të provuar diçka të re dhe të fitoj”, thotë trajneri portugez. “Unë dua gjithnjë të fitoj. Nëse nuk arrij, atëherë ky është një problem i imi, i klubit, i skuadrës dhe i gjithë ambientit që më rrethon”, shton Mourinho.

“Nëse dikush më ofron një kontratë të mirë për 10 vjet dhe më pas më thotë që objektivi i skuadrës është të renditet në anën e majtë të tabelës së renditjes, pra do të ishte normale edhe vendi i shtatë, kjo punë nuk bën për mua. Nuk është pjesë e natyrës time. Puna ime e ardhshme do të jetë të luftoj për të fituar”, u shpreh Jose Mourinho.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat