Skënderbeu gjen akordin me dy lojtarë

Futboll

Skënderbeu gjen akordin me dy lojtarë

Më: 27 qershor 2019 Në ora: 16:20
Skënderbeu gjen akordin me dy lojtarë

Skënderbeu fillon të reagojë për sa i përket merkatos dhe bën lëvizjet e para për të marrë frenat e ekipit në dorë. I pari që duket se ka mbyllur akordin me ekipin bardhekuq është mbrojtësi i krahut të majtë, Leonit Abazi.

Abazi prej disa javësh ishte në kontakt me shumë klube të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë, teksa i pari në radhë ishte Partizani. Korçarët kanë biseduar me lojtarin dhe kanë arritur marrëveshjen për zgjatjen e kontratës deri në vitin 2021. Abazi duket se ka arritur akordin vetëm në parim dhe më pas do të bëhet gjithçka zyrtare kur të hidhet firma mbi kontratë. Firmë, e cila është lënë pas daljes së vendimit të KAS.

Në anën tjetër nuk është vetëm Abazi, por edhe Oto Xhon, i cili ka arritur akordin e rinovimit me Skënderbeun. Gjithçka ka ndodhur në javën e kaluar, kur bardhekuqtë kanë biseduar me lojtarin dhe ia kanë arritur qëllimit që ta bindin. Duket se Skënderbeu beson tek aftësitë e Xhon në këtë sezon dhe mendon se mund të jetë një pikë e rëndësishme për sezonin e ri.

Me dy lojtarët thuajse të zyrtarizuar për sa u përket kontratave të reja, Skënderbeu po mendon tashmë për të mbyllur edhe pjesën tjetër të dilemave. Bëhet fjalë për dy nga senatorë e ekipit. Kapiteni Marko Radas dhe mesfushori Gjergji Muzaka janë dy prej futbollistëve që kanë mbetur pezull dhe janë pa kontrata për sezonin e ardhshëm.

Kapiteni Radas dhe Muzaka kanë shprehur prej kohësh dëshirën për të vijuar edhe në sezonin e ardhshëm aventurën te Skënderbeu. Por, duket se gjithçka mbetet në pritje të vendimit të KAS-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat