Prishtina është emër i madh, këtë kuptoje Mirel Josa!

Futboll

Prishtina është emër i madh, këtë kuptoje Mirel Josa!

Nga: Kemajl Goca Më: 28 qershor 2019 Në ora: 15:27
Prishtina është emër i madh, këtë kuptoje Mirel Josa!

Klubi i futbollit Prishtina është emër i madh i futbollit dhe këtë kuptoje Mirel Josa! Prishtina është emër që ka dridh klubet me renome në vitet e 80-ta, si Dinamon e Zagrebit, Cërvena Zvezdën e Beogradit, Partizanin e Beogradit, Hajdukun e Splitit etj.

Është klub me renome dhe një periudhë edhe rreth 40 mijë shikues ka pasur në stadium, që i madh dhe i vogël janë kënaqur për nga cilësia e lojës dhe për nga rezultatet. Prishtina është klubi më i trofeshëm në vendin tonë.

Zotëri Josa jeni emëruar zyrtarisht në krye të Prishtinës më 19 shtator të vitit 2017 dhe nga atëherë përveç që fituat Kupën e Kosovës, nuk i sollët asnjë titull kampioni këtij kolektivit me renome! Askush nuk dyshon në aftësitë tuaja si trajner i madh, por nuk po të shkon në klubin me renome. Nuk po të shkon burrë! Nuk po të shkon në filozofinë e futbollit të Kosovës. Pse nuk po të shkon, e dini më së miri ju i nderuari Josa.

Kushtet i ke, kryesia t’i ka krijuar të gjitha parakushtet. Presidenti i klubit Remzi Ejupi me kryesinë e klubit, t’i ka lanë duart e lira për të bërë ekipin sa më të mirë! Nuk po iu shkon zotëri Josa. Vërtet ishte e padurueshme humbja e shumë rasteve në paraqitjen e mbrëmshme në duel me ekipin amator të Gjibraltarit, St Josephs dhe një barazim zhgënjyes (1:1). Sulmuesit nuk bënë asgjë! Kushtet e volitshme që t’i ka krijuar z. Ejupi me kryesinë, me çfarë ua shpërbleve deri me tash? Asnjë titull kampioni! 

Dhe pastaj duhet ta dish qe njerëzit në Kosovë, sidomos në Prishtinë e njohin futbollin. Nuk janë laik apo ultras që vetëm e duan futbollin. Në këtë Prishtinë kanë defiluar emra të mëdhenj të trajnerëve të ish Jugosllavisë dhe lojtar të mëdhenj. Thjesht ky klub meriton shumë më shumë e jo lojë të mjerueshme për tri pikë! Josa, e dini shumë mirë se Prishtina është emër i madh dhe e dini se pas ndeshjes së djeshme ndjeshëm janë rritur pakënaqësitë nga ana e dashamirëve të kësaj loje. Po e zëmë se Prishtina e kalon St St Josephs, në takimin e kthimit që luhet me 2 korrik, por çka pastaj! 

Josa, çfarë po ndodhë me një Prishtinë, që ka luajtur lojë defensive gjatë gjithë kampionatit hiq lojës së djeshme! Presidenti Ejupi dhe kryesia e Prishtinës, tifozët “Plisat” meritojnë që të shpërblehen me një lojë brilante, me një sulm efikas e me gola dhe jo kësisoj me një sulm si pa kokë! 

Si do të veprosh tash e tutje i respektuari Josa, fundja ka ardhur koha vet të deklarohesh: Nuk jam për Prishtinë, nuk jam për Prishtinë, nuk jam për Prishtinë, ose do të ndryshojë Prishtina për të mirë, të bëhet një Prishtinë si e duan gjithë dashamirët e lojës së futbollit! Dilema është, çka tash e tutje? Sot lexova shumë komente në profilet e ndryshme të facebookut, pakënaqësi dhe pakënaqësi, por edhe në rrugë shumë thonë: Prishtina na zhgënjeu mbrëmë! 

Zotëri Josa, përderisa Prishtina një kampionat ka luajtur jashtë Prishtinës shkaku i renovimit të stadiumit, keni pasur një mijë arsye të justifikoheni, se vetëm jashtë po luajmë, por tani edicionin e fundit keni luajtur në ‘Fadil Vokrri’, edhe mbrëmë në ’Fadil Vokrri’!  Një herë, e dy herë edhe tri herë fati ta kthen shpinën, por jo gjithmonë!

Zotëri Josa, e keni pa se në Kosovë, po ta kemi një stadium edhe me 100 mijë ulëse, ai mbushet i tëri, e keni pa kur luan kombëtarja e Kosovës si vlon Prishtina.  Kosova ka tifozë të flaktë të futbollit, duan futboll cilësor, ofensiv dhe rezultate! Askush nuk kërkon ta mposhtësh një Romë as një Arsenal, por të kemi Prishtinë më cilësore dhe jo që luan me ngërç! Është koha të reflektosh me lojë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat