Ness: Për herë të parë në Kosovë i kemi dy kurse pilote

Futboll

Ness: Për herë të parë në Kosovë i kemi dy kurse pilote

Më: 28 qershor 2019 Në ora: 19:17
Ness: Për herë të parë në Kosovë i kemi dy kurse pilote

Federata e Futbollit e Kosovës, dje, ka organizuar ceremoninë e shpërndarjes së licencave dhe certifikatave për trajnerë dhe trajnere prej 5 kurseve të mbajtura dhe të përfunduara me sukses.

Me këtë rast u bë shpërndarja e licencave për 120 pjesëmarrës, të cilët në periudha të ndryshme kanë qenë pjesë e kurseve të organizuara nga FFK për Licencën B për një grup, pastaj për dy grupe Licenca C, për një grup Licenca C për portierë si dhe certifikata “Grassroots Education Cours” për femra.

Në këtë ceremoni morën pjesë nënkryetari i FFK-së, Agim Dibrani, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, drejtori teknik i FFK-së, Michael Ness, përfaqësuesja e Ambasadës së Gjermanisë, Zana Elshani, instruktorit të DFB-së, Horst Krieste, menaxherja e Grassroots dhe zyrtari i edukimit të trajnerëve, Lorik Fazlija. Sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu theksoi se prioriteti kryesor i FFK-së është edukimi dhe licencimi i trajnerëve të futbollit.

“Para 10 viteve kemi qenë të detyruar të bëjmë licencime të tilla në Federatën e Futbollit të Suedisë e pastaj edhe me Federatën Shqiptare të Futbollit, derisa individualisht trajnerët kanë bërë licencime edhe në federata tjera. Personalisht licencën e kam marrë në Gjermani dhe ka qenë shumë e nevojshme që pikërisht disiplinën dhe procesin e edukimit gjerman ta përfshijmë në sistemin tonë të edukimit, për çka i jemi falënderues DFB-së për bashkëpunimin me ne.

Si rezultat i këtij partneriteti përveç procesit të edukimit kemi marrë edhe një ekspert gjerman si drejtor teknik dhe kemi arritur që të bëjmë licencimin e trajnerëve edhe nëpërmjet Federatës gjermane të futbollit. Mirëpo, ju jeni gjenerata e parë që licencoheni në Kosovë në bazë të sistemit të UEFA-s, të përcaktuar nga Jira Panel, që i cakton standardet e përgjithshme të sistemit të edukimit. E di që keni pasur një periudhë të vështirë, ngase ky kurs kërkon angazhim e përqendrim, por tash kur e keni përfunduar sigurisht se e shihni sa i rëndësishëm dhe sa i ka themelet e forta ky licencim.

Ju dëshiroj sukses të gjithëve e sidomos vajzave tona, me të cilat krenohemi dhe shpresoj se do të vazhdoni me edukim deri në Licencën UEFA Pro”, ka theksuar Salihu. Ndërkohë, drejtori teknik, Michael Ness ka rikujtuar se ardhjen e tij për punë në FFK e ka mundësuar Komiteti Olimpik i Gjermanisë, Qeveria gjermane dhe Departamenti i punëve të jashtme të Gjermanisë dhe se për këto tri institucione edukimi është prioriteti numër një.

“Për herë të parë në Kosovë i kemi dy kurse pilote, por presim që shumë shpejtë që këto kurse të pranohen nga paneli i Jira-s, pasi tashmë një gjë e tillë është vetëm formalitet. Besoj se deri në fund të vitit Licenca B do të njihet dhe do të shndërrohet ‘UEFA Licence B’”, ka thënë Ness.

Një fjalë rasti e pati edhe instruktori i DFB-së, i cili theksoi se të gjithë trajnerët e licencuar tani është e rëndësishme që njohurit që i kanë marrë nga ky edukim t’i transferojnë tek brezat e rinj ashtu siç duhet dhe që futbolli të dashurohet me zemër. Ai shprehu besimin se futbolli në Kosovë pas 10 vjetëve do të jetë në nivel tjetër dhe pikërisht trajnerët e sotëm do të luajnë rol vital për zhvillimin e talenteve të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat