Trajneri i Partizanit zbulon sekretet, tregon skemën dhe si i përgatit ndeshjet

Futboll

Trajneri i Partizanit zbulon sekretet, tregon skemën dhe si i përgatit ndeshjet

Më: 5 korrik 2019 Në ora: 15:25
Franco Lerda

Partizani vijon t’i “karikojë bateritë” në prag të përplasjes së dyfishtë me Qarabag FK në Ligën e Kampionëve. Trajneri italian, Franco Lerda, po i njeh përditë e më shumë lojtarët që ka në dispozicion, po synon kohezionin e grupit dhe implementimin e filozofisë së tij taktike te kampionët e Shqipërisë. Në një intervistë të dhënë për “Supersport”, ai shpjegoi situatën aktuale të “demave të kuq” dhe qasjen e tij si trajner: 

“Jam i bindur se kjo skuadër do të ketë vazhdimësi. Si presidenti, edhe drejtori m’i kanë prekur telat e duhur për të pranuar të vija këtu. Eshtë një sfidë në një klub të rëndësishëm, që kërkon vazhdimësi, pas shumë vitesh pa fituar. Kam pasur mundësi t’i njihja djemtë. Disa i kisha parë në video, por tani kam mendim tjetër. Kemi punuar nga ana fizike, sepse na presin dy ndeshje të rëndësishme. Nuk jemi në top-formë, por kemi besim të plotë se do të bëjmë mirë. Na presin dy ndeshje të vështira me Qarabag. 

Të rinjtë apo ata me eksperiencë? Nëse lojtarët janë të mirë, mosha është gjëja e fundit, që ka rëndësi. Moduli i lojës? Le të themi se preferoj skemën 4-3-3 për futbollistët që kam në dispozicion. Do të vazhdojmë kështu dhe dua të shoh skuadër sulmuese. Duhet ta përgatisim mirë ndeshjen, duke studiuar kundërshtarin dhe të jemi gati kur sulmojmë, por edhe ta mbrojmë si duhet portën tonë. Jeta ime jashtë futbollit? Përditshmëria është normale. E dua familjen dhe i ndaj problemet me gruan e prindërit, por në fund vendos vetë. 

Jam trajner që e përgatis skuadrën në mënyrën time. Jam bashkëpunues me lojtarët dhe dua të di çfarë pretendojnë ata. Kërkoj shumë nga futbollistët dhe, nëse kemi objektiv, duhet të punojmë për ta realizuar. Kohën e lirë dua të shëtis. Dua të njoh qytetin dhe ta prek jetën e njerëzve. Dua ta vizitoj Tiranën sapo të kem mundësi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat