Messi: Futbolli s’ishte i drejtë me ne, por po largohemi nga Brazili me kokën lart

Futboll

Messi: Futbolli s’ishte i drejtë me ne, por po largohemi nga Brazili me kokën lart

Më: 7 korrik 2019 Në ora: 12:13
Leo Messi me shokë

Lionel Messi ka theksuar se futbolli nuk ka qenë i drejtë me Argjentinën, e cila e zuri vendin e tretë në Kupën e Amerikës 2019. Superylli i Barcelonës beson se ky ekip kombëtar argjentinas tregoi se ka një bazë për një të ardhme të ndritur dhe iu bëri thirrje bashkëlojtarëve të largohen nga Brazili me kokën lart.

Messi ishte në qendër të polemikave në fitoren e Argjentinës 2:1 kundër Kilit për vend të tretë të shtunën, pasi u përjashtua nga loja direkt me karton të kuq, bashkë me Gary Medelin, pas një kacafytje në fushë në minutën e 36-të.

Bashkëlojtarët e 32-vjeçarit ia dolën ta ruajnë rezultatin edhe pas largimit të tij të hershem, sepse golat e Sergio Agueros dhe Paulo Dybalas ishin të mjaftueshme, përkundër se Arturo Vidal shënoi për Kilin nga penalltia në minutën e 59-të.

Në një postim në llogarinë e vet zyrtare në Instagram pas lojës, Messi shkroi: “Po largohemi nga ky turne me një fitore, por mbi të gjitha me kokën lart dhe me një ndjesi se këtë herë, futbolli ishte i padrejtë ndaj nesh”.

“Ne e merituam finalen e së dielës për shkak të mënyrës sesi luajtëm dhe për shkak se ishim më të mirë se Brazili. Ama të shikojmë përpara me optimizëm sepse kjo kombëtare ka të ardhme dhe një bazë, prandaj duhet vetëm t’i japim kohë”, shtoi ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat