Alves: Messi shkyçet nga loja nëse s’e prek topin për dy minuta

Futboll

Alves: Messi shkyçet nga loja nëse s’e prek topin për dy minuta

Më: 9 korrik 2019 Në ora: 13:58
Dani Alvesh

Lionel Messi dhe Dani Alves e përbënin një partneritet vrastar në krahun e djathtë të sulmit të Barcelonës dhe Pep Guardiola ishte personi që e kishte krijuar këtë partneritet. Por, në një moment, trajneri ishte detyruar të merrte këshilla nga braziliani.

Në një paraqitje televizive në Brazil, Dani Alves e sqaroi se sa e rëndësishme është për Lionel Messin që të mbetet vazhdimisht i lidhur dhe i përfshirë në një ndeshje futbolli.

“Unë isha mësuar të pasoja anash dhe jo në qendër, një pasim ky që Guardiolës nuk i pëlqente”, sqaroi Alvesi në një intervistë të dhënë për Globoesporte.

“Unë kombinohesha shumë mirë me Messin, por Guardiola dëshironte diçka tjetër. Kështu që u detyrova të shkoj për të folur me të”.

“Unë i thashë: “Më fal trajner, por nëse Messi mbetet dy minuta pa topin në këmbë, atëherë ai shkyçet nga loja. Nëse ai shkyçet, atëherë si mund të jetë ai i përgatitur për ta vendosur ndeshjes”. Guardiola u pajtua me mua”.

Megjithatë, kjo nuk ishte e gjitha që Alvesi e tha për Messin në këtë intervistë. Braziliani e kritikoi argjentinasin për komentet e tij pas disfatës në gjysmëfinale të Kupës së Amerikës.

Lionel Messi e goditi CONMEBOL-in ekuivalente me UEFA-n, shtëpia e futbollit në Amerikën e Jugut), dhe të gjithë Kupën e Amerikës pas disfatës në gjysmëfinale dhe pastaj sërish pasi Argjentina e zuri vendin e tretë të garës në ndeshjen kundër Kilit, në të cilën ylli i Barcelonës u ndëshkua me karton të kuq.

Messi sugjeroi se gjyqtarët e kishin favorizuar skuadrën e Brazilit, që ishte edhe nikoqire e turneut, gjatë gjithë turneut.

Sulmuesi argjentinas ishte veçanërisht kritik ndaj gjyqtarit Roddy Zambranos dhe VAR-it pas gjysmëfinales kundër Brazilit, duke i kritikuar ata për vendimin për të mos ia akorduar një penallti Sergio Agueros.

Komentet e Messit e morën vëmendjen edhe të trajnerit të Brazilit, Tites, i cili tha se një yll i nivelit të Messit duhet të tregojë më shumë respekt. Alves u pajtua me deklaratën e trajnerit të tij.

“Shoku nuk ka gjithmonë të drejtë vetëm pse është shok i yti. Mund të thuash gjëra të tilla në zemërimin e ndeshjes, por unë prapëseprapë nuk pajtohem”, tha Alves.

“Së pari, ai është duke shfaqur mungesë respekti për një institucion si Kombëtarja e Brazilit. Së dy, ai po tregohet i pasjellshëm me shumë profesionistë që lënë anash shumë gjëra për të qenë aty për të luftuar për një ëndërr.

“Jam një shok që e thotë gjithmonë të vërtetën kur ka nevojë dhe unë mendoj se ai e kishte gabim për ato gjëra që i tha”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat