Suada Jashari: Me Mitrovicën do të paraqitemi sa më denjësisht në Champions 

Futboll

Suada Jashari: Me Mitrovicën do të paraqitemi sa më denjësisht në Champions 

Nga: Kemajl Goca Më: 9 korrik 2019 Në ora: 18:05
Suada Jashari: Me Mitrovicën do të paraqitemi sa më denjësisht në Champions 

Futbolli i femrave në Kosovë gradualisht po shënon rritje të cilësisë. Po rritet rivaliteti mes skuadrave, sidomos në edicionin që e lamë pas Mitrovica fitoi titullin e kampionit me tri pikë më shumë se pozita e dytë, Feronikeli.

Image

Vashat mitrovicase treguan lojëra shumë të mira, zunë vendin e parë me 67 pikë të mbledhura. Mitrovica ka pasur një ecuri fantastike, e cila për 24 ndeshje ka regjistruar 22 fitore, 1 barazim e 1 humbje, me goldallim rekord 263:5.  

Përveç sulmit që e kishte shumë efikas, edhe mbrojtjen bindshëm më të mirë, ku e dëshmon se për 24 ndeshje pësuan vetëm pesë gola. Mitrovicaset janë skuadra më e organizuar në futbollin femëror, punojnë me përkushtim, mbretëron një disiplinë e harmoni e pashoq në mesin e tyre. Mitrovica dukshëm ka qenë më e mirë se skuadrat që mëtonin kreun e tabelës dhe tani mendjen e ka në garat kualifikuese në Champions League, që të arrijë sa më lartë.

Suada Jashari, futbollistja më e mirë në vendin tonë, tha se kanë një ekip të mirë dhe me bindje se do të lënë përshtypje të mira në garat kualifikuese në Champions League. Suada rikthehet nga lëndimi, e cila ende nuk është 100 për qind e gatshme për të luajtur, por shpreson se shumë shpejt do të jetë në nivelin më të lartë.  

Image

Suada shprehet se futbolli femëror duhet më shumë përkrahje, për faktin se e meriton dhe janë sporti më i popullarizuar në botë. “Pres mbështetjen e mediave për futbollin e femrave sepse ka shumë pak mbështetje, e dihet qe futbolli është sporti më i popullarizuar në botë, si për femra si për meshkuj. Ai është sport, e çdo suksesit tonë duhet me ju gëzuar të gjithë e më e mbështet të gjithë sepse është sport si të gjitha sportet tjera”, thotë Suada për gazetën kombëtare “Bota sot”.  

Mesfushor-sulmuesja është e ngazëllyer që dy vite rresht janë kampion të Kosovës dhe pjesëmarrëse në garën më prestigjioze në Champions League. Ajo tha se është motiv shtesë kur përfaqësojnë Kosovën në garën prestigjioze siç është Champions League.

Image

“Jemi kampion tash dy vite rresht. Normalisht që është motiv shtesë marrja pjesë në Champions League sepse na bënë të punojmë edhe më shumë e të përkushtohemi akoma më shumë kur e dijmë që kemi të bëjmë me ndeshje më të vështira në garat evropiane”, tha mesfushor-sulmuesja.

Sa i përket kushteve është shumë e kënaqur dhe iu është mirënjohëse edhe kryetarit të klubit: “Kushtet për punë i kemi shumë të mira, falë kryetarit Hajrullah Haxhiu i cili është shumë i përkushtuar ndaj nesh, na ka plotësuar të gjitha kushtet që ne të punojmë siç është më së miri. Atmosferën e kemi në nivel sepse të gjitha jemi të motivuara për punë, si stafi si bashkëlojtaret të gjithë shkojmë shumë mirë dhe patjetër që kemi një atmosferë shumë të mirë brenda ekipit”. A kemi rritje të cilësisë në futbollin femëror?

“Cilësia e futbollit të femrave çdo vit mendoj që po shkon në rritje, sa të ketë rivalitet kualiteti gjithmonë rritet. Shpresoj që të gjitha ekipet do të mundohen të afrojnë sa më shumë vajza në futboll, të ju japin mbështetje, të punojnë me to sepse kemi vajza shumë të talentuara, që mund të luajnë futboll.

Besoj që duhet vetëm mbështetje nga institucionet përkatëse dhe punë, pastaj rezultatet do të vijnë me patjetër”, theksoi ajo.  Suada shprehet se në garat evropiane nuk ka ndeshje të lehta, kur dihet niveli i Champions League. “Me Mitrovicën dihet që është viti i dytë që marrim pjesë në Champions, jemi ekipi më i ri në ato gara, nuk ka asnjë ndeshje të lehtë atje, por ne po bëjmë shumë punë që të paraqitemi sa më denjësisht dhe do të mundohemi të marrim rezultate sa më të mira”, përfundoi Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat