Hasani: Presim një luftë të rreptë  - Bota Sot
Hasani: Presim një luftë të rreptë 

Futboll

Hasani: Presim një luftë të rreptë 

Nga: Kemajl Goca Më: 10 korrik 2019 Në ora: 17:30
Hasani: Presim një luftë të rreptë 

Flamurtari i Prishtinës përgatitet për edicionin e ri në elitën e futbollit të Kosovës. Skuadra kuqezi nga 1 korriku ka nisur përgatitjet dhe i zhvillon në fushën e saj që gjendet në lagjen “Xhemail Ibish”.  Atmosfera është shumë e mirë, një motiv shtesë për të gjithë, me ambicie të mëdha.

Është një frymë e re në stërvitje me kryetrajnerin e ri, Artim Shaqiri. Drejtori sportiv i Flamurtarit, Agim Hasani, tha se pas disa ditëve përgatitjet do t’i vazhdojnë në Ohër të Maqedonisë Veriore, ku do të jetë një mundësi që të përgatiten edhe më mirë dhe të komponohet ekipi.

“Kemi filluar përgatitjet me 1 korrik, deri me tash stërvitjet i kemi bërë një herë në ditë. Prej ditës së sotme do të stërvitem dy herë në ditë, po ashtu edhe në fitness sallë. Kështu që, parashikojmë të shtunën e fundjavës të zhvillojmë një ndeshje miqësore nëse lejojnë kushtet atmosferike. Ndërkaq, me 25 korrik do të udhëtojmë për në përgatitjet e përbashkëta në Ohër”, tha Hasani për gazetën kombëtare “Bota sot”.  

Ardhja e Artim Shaqirit ka sjellë risi sa i përket stërvitjeve, këtë e thotë edhe Hasani: “Është duke shkuar mirë, çdo ditë jam me të. Kanë filluar disa risi gjatë stërvitjeve, që po i vërej, po ashtu është një atmosferë e mirë, një disiplinë, angazhim maksimal të të gjithë lojtarët dhe stafit i trajnerëve.

Po vërej stërvitje të reja, pak më ndryshe”. Hasani mendon se janë më të fortë se në edicionin e kaluar dhe sipas tij, kanë nevojë edhe për një përforcim në vijën e mbrojtjes. Ai tha se kanë angazhuar lojtarë nga jashtë por edhe me shumicën e futbollistëve kanë ripërtërirë kontratat. “Besoj se do të jemi shumë më të fortë se vitin e kaluar, po ashtu  duke iu falënderuar edhe kryetarit të klubit, Imer Ademi, kemi angazhuar lojtar nga Mali i Zi, Maqedonia Veriore, Shqipëria, shtetet afrikane dhe disa lojtar nga Kosova. Me shumicën e lojtarëve, 60-70 për qind kemi ripërtërirë kontratat, kemi ruajtur bërthamën e klubit. Po inkorporojmë lojtarë të rinj dhe nga jashtë vendit”, thotë Hasani.

“Jemi përforcuar në çdo repart, ndërsa sulmuesin Alban Shillovën e kemi liruar me vetdëshirën tonë për ta ndihmuar Prishtinën, në anën tjetër kemi gjet një lojtar nga Mali i Zi, na duhet edhe një  qendërmbrojtës. Kemi tre qendërmbrojtës dhe na duhet edhe një, kështu mendoj unë”, shtoi Hasani. Synimi i klubit kuqezi është që të dhurojnë lojëra të mira dhe të janë në mesin e renditjes së klasifikimit. “Synimet tona janë mesi i tabelës, nëse na jepet mundësia të shkojmë edhe më lartë”, nënvizoi ai.  Më tutje drejtori sportiv tha se nga secila skuadër pret luftë të ashpër sportive për pikë në edicionin e ri.

“Në edicionin e ri presim një luftë të rreptë sportive, sepse siç dihet katër ekipe bien direkt nga liga, kështu që do të luftohet për çdo pikë. Mmendoj se ka me qenë luftë e madhe sportive, aty do të dihet kualiteti në terren, sepse çdo pikë është e vlefshme për mbarëvajtjen e kampionatit”, thotë Hasani.  Në fund tha se tifozëve iu premton angazhim: “Tifozëve iu premtoj lojë të mirë, angazhim, disiplinë dhe shumë kualitet”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...